Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, ka njoftuar për realizimin e një tjetër pagese të rëndësishme për fermerët, këtë herë për kultivuesit e mollëve.

Sipas Hoxhës, gjithsej 149.482.644 denarë janë paguar për 1.934 fermerë, të cilët kanë prodhuar dhe dorëzuar mollë.
“Vazhdojmë me lajme të mira për fermerët! Rreth 149,5 milionë denarë janë paguar për 1.934 kultivues të mollëve. Me këtë pagesë po përmbushim një tjetër pjesë të detyrimeve ndaj bujqve dhe po vazhdojmë mbështetjen për prodhimin vendas”, ka deklaruar Hoxha.
Pagesat janë realizuar përmes Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, në kuadër të Masës 1.7 të Programit për Mbështetje Financiare në Bujqësi për vitin 2025.
Hoxha ka theksuar se realizimi i pagesave dhe përmbushja e detyrimeve ndaj fermerëve do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.




