Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu u ka bërë thirrje deputetëve që të mos konsumojnë duhan në ambientet e mbyllura të institucionit, duke paralajmëruar se në rast të vazhdimit të shkeljeve do të kërkojë ndërhyrjen e Inspektoratit dhe shqiptimin e gjobave.

Gjatë një adresimi në Kuvend, Haxhiu ka shprehur shqetësimin për pirjen e duhanit brenda hapësirave të institucionit, duke thënë se era e duhanit po arrin deri në zyrën e saj dhe po ia vështirëson punën.
“Do të doja që të adresoj një shqetësim tjetër në lidhje me pirjen e duhanit në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Unë nuk po mundem me funksionu as vetë si kryetare e Kuvendit, se deri këtu po më mbërrin era e duhanit”, ka deklaruar Haxhiu, përcjell Telegrafi.
Ajo u ka kërkuar deputetëve që ta respektojnë ligjin përkatës, i cili ndalon pirjen e duhanit në ambientet e mbyllura.
“Kërkoj nga deputetët që ta respektojnë ligjin që e ka miratuar ky Kuvend. Në ambientet e mbyllura të Kuvendit të mos pinë duhan”, ka theksuar ajo.
Haxhiu ka paralajmëruar se, nëse deputetët vazhdojnë ta shkelin ligjin, do të kërkojë që Inspektorati të intervenojë në ambientet e Kuvendit për të identifikuar dhe gjobitur personat që nuk e respektojnë ndalimin.
“Përndryshe, do të detyrohemi menjëherë që të kërkojmë nga Inspektorati që të vijë në ambientet e Kuvendit, që të marrin gjoba deputetët të cilët e shkelin ligjin në ambientet e Kuvendit”, ka thënë ajo.
Kryetarja e Kuvendit e ka cilësuar këtë si thirrjen e fundit ndaj deputetëve që konsumojnë duhan në hapësirat e mbyllura, duke lënë të hapur mundësinë e masave ndëshkuese në rast të mosrespektimit të ligjit.
Ajo ka kërkuar që deputetët të japin shembull në respektimin e ligjeve që miratohen nga vetë Kuvendi i Kosovës. /Telegrafi/




