Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë seancës së Kuvendit, ka ftuar deputetët që t’i vendosin shiritat në ulëset e tyre, në shenjë solidariteti me gratë dhe vajzat e prekura nga kanceri i gjirit.

Haxhiu theksoi se, ndonëse Tetori i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit po përfundon, kujdesi për shëndetin duhet të vazhdojë gjatë gjithë vitit.
Ajo rikujtoi rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore dhe zbulimit të hershëm të sëmundjes, duke theksuar se diagnostikimi në kohë rrit ndjeshëm mundësitë për shërim.
“Thirrja jonë mbetet e njëjtë: ju lutem, bëni kontrollet me kohë dhe shkoni rregullisht te mjeku”, u shpreh Haxhiu.
Në fund, ajo shprehu solidaritet të plotë me gratë që po përballen me këtë sëmundje dhe familjet e tyre, duke nënvizuar rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin. /Telegrafi/




