Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për angazhim të institucioneve dhe të shoqërisë në luftimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, me rastin e nisjes së fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Në fjalimin e saj, Haxhiu ka theksuar se dhuna ndaj grave buron nga pabarazia dhe normat shoqërore që u japin burrave të drejtën të kontrollojnë jetën e grave, përfshirë vendimet për shkollimin, punësimin, lëvizjen dhe financat e tyre.

Ajo ka vënë në pah se kontrolli nuk është vetëm paralajmërim i dhunës, por një formë e saj.
“Ky kontroll nuk është paralajmërim i dhunës, ai vetë është dhunë – është dhunë psikologjike dhe ekonomike, dhe shpesh i paraprin dhunës fizike, madje edhe vrasjes”, ka thënë Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit ka theksuar se përgjegjësia për ndalimin e dhunës nuk mund të mbetet vetëm te viktimat, por është detyrë e institucioneve, familjeve dhe shoqërisë.
Duke folur për temën e fushatës globale të këtij viti, ajo ka thënë se kërkohet drejtësi për të mbijetuarat dhe fundi i mosndëshkimit të dhunuesve.
“Drejtësi do të thotë që gruaja të besohet kur raporton, të mbrohet menjëherë dhe që dhunuesi të përballet me pasoja”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka bërë të ditur se Kuvendi do ta mbikëqyrë zbatimin e ligjit në çdo institucion përgjegjës, duke theksuar se gratë që përballen me frikë dhe dhunë duhet të kenë mbështetjen e institucioneve të vendit.
“Këtë besim ne duhet ta fitojmë me veprim”, ka përfunduar Haxhiu.
Burimi: RTKLive





