Haxhiu tha se qytetarët po përballen me rritje të çmimeve dhe inflacion, ndërsa pjesa më e madhe e të hyrave buxhetore, sipas saj, sigurohet nga tatimet indirekte që paguhen përmes konsumit.
Ajo kërkoi sqarime për mënyrën se si do të shpërndahen mjetet e planifikuara, duke vënë në pikëpyetje nëse ndarjet e parapara do të mundësojnë zhvillim ekonomik.

“Pra, marrë në tërësi, ky buxhet nuk është zhvillimor; është buxhet konsumues, pa zhvillim të mjaftueshëm ekonomik”, tha Haxhiu.
Sipas saj, projektbuxheti kap vlerën mbi katër miliardë euro, ndërsa rreth tri miliardë euro të të hyrave vijnë nga tatimet indirekte. Ajo përmendi ndarjet për paga, mallra dhe shërbime, subvencione dhe investime kapitale, duke vlerësuar se rritja e shpenzimeve nuk përkthehet domosdoshmërisht në rritje reale të investimeve.
Haxhiu tha se shpenzimet e përgjithshme janë rreth 4.86 për qind më të larta se në vitin 2026, por sipas saj, kur merret parasysh inflacioni, vlera reale e buxhetit zvogëlohet.
Një nga çështjet kryesore të ngritura nga deputetja e AAK-së ishte realizimi i investimeve kapitale gjatë vitit 2026.
Ajo tha se në nëntë muajt e parë të këtij viti janë shpenzuar 376 milionë euro nga mjetet e dedikuara për investime kapitale, duke e vlerësuar këtë si rreth 36 për qind të buxhetit të planifikuar për këtë kategori.
Duke iu referuar kufizimeve ligjore për shpalljen e tenderëve nga 1 nëntori, Haxhiu ngriti pyetjen se si do të mund të realizohej pjesa e mbetur e investimeve deri në fund të vitit.
“Pyetja ime për Kryeministrin është: si mundet me u shpenzuar edhe 64% të buxhetit nga pjesa e mbetur kur dihet realisht që kemi vetëm një muaj në pyetje”, tha ajo.
Haxhiu kritikoi edhe rritjen e shpenzimeve për mallra dhe shërbime, të cilat sipas saj janë rritur për tetë për qind. Ajo i cilësoi disa prej këtyre shpenzimeve si “lluks qeveritar” dhe përmendi mbi 32 milionë euro të shpenzuara në nëntë muaj për derivate, telefonata dhe udhëtime zyrtare.
Sipas shifrave që paraqiti në Kuvend, 17 milionë e 160 mijë euro janë shpenzuar për derivate, 6 milionë e 910 mijë euro për telefonata dhe 7 milionë e 970 mijë euro për udhëtime zyrtare.
Ajo tha se këto shpenzime janë 4 milionë e 580 mijë euro më të larta se në periudhën përkatëse të vitit 2025.
Haxhiu e krahasoi këtë shumë me pensionet prej 150 eurosh, duke thënë se ajo do të mund të mbulonte 30 mijë e 533 pagesa mujore për pensionistët që marrin këtë shumë.
Aleanca kritikon rritjen e pagave nga korriku dhe mungesën e mbështetjes për sektorin privat
Deputetja e Aleancës kritikoi edhe mënyrën se si është planifikuar rritja e koeficientit të pagave, e cila pritet të hyjë në fuqi nga korriku i vitit 2027.
Ajo tha se rritja duhet të zbatohet nga 1 janari, në mënyrë që punonjësit të përfitojnë për të gjithë vitin.
Ajo kritikoi gjithashtu mungesën e masave të veçanta për punëtorët e sektorit privat, duke përmendur rreth 200 mijë të punësuar në këtë sektor.
Sipas saj, punëtorët dhe bizneset private kontribuojnë në buxhetin e shtetit, por nuk kanë marrë mbështetjen e nevojshme në projektbuxhet.
Haxhiu tha se rritjet e planifikuara për kategori të ndryshme të pensioneve dhe përfitimeve sociale duhet të vlerësohen edhe në raport me inflacionin, pasi rritja nominale nuk nënkupton domosdoshmërisht përmirësim të fuqisë blerëse.
Një pjesë të fjalimit Haxhiu ia kushtoi projekteve infrastrukturore, për të cilat tha se ndarjet buxhetore nuk janë në përputhje me rëndësinë dhe koston e tyre.
Ajo kritikoi ndarjen prej një milion eurosh për Unazën e Jashtme të Prishtinës, duke pasur parasysh se projekti përfshin rreth 29 kilometra rrugë.
Sipas saj, e njëjta shumë është ndarë edhe për Autostradën e Dukagjinit, për të cilën vlerësoi se me këtë ritëm do të nevojiteshin shumë vite për përfundimin e punimeve.
Haxhiu u ndal edhe te rruga Kievë–Zahaq, duke thënë se mjetet e parapara për vitin 2027 janë minimale dhe se, sipas vlerësimit të saj, për përfundimin e saj do të nevojiteshin së paku edhe tri vite.
Ajo kritikoi edhe ndarjen prej tri milionë eurosh për rrugën Dollc–Gjakovë, duke pretenduar se projekti është paraqitur si i mbyllur, ndonëse punimet nuk kanë arritur as në 50 për qind të realizimit.
Ajo ngriti shqetësime edhe për shpërndarjen e mjeteve për komunat, duke vlerësuar se ndarjet nuk janë të barabarta dhe nuk marrin parasysh nevojat e qytetarëve.
Ajo përmendi disa prej shumave të planifikuara për komunat, përfshirë 850 mijë euro për Obiliqin, 29.2 milionë euro për Gjilanin, 9.1 milionë euro për Kamenicën, 7.7 milionë euro për Mitrovicën e Jugut dhe 4.78 milionë euro për Gjakovën.
Për Gjilanin, Haxhiu tha se do të ishte e rëndësishme të përfundonte stadiumi, edhe për shkak të kontributit që mund të kishte në organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Ajo krahasoi ndarjet për Prishtinën dhe Shtimen, duke pretenduar se, nëse llogariten mjetet për kokë banori dhe përjashtohen shpenzimet për objekte të ministrive, kryeqyteti përfiton më pak se Shtimja.
Burimi: RTKLive





