Një dyqan i biçikletave elektrike në Oftringen, kantoni Aargau, është bërë cak i një grabitjeje gjatë natës. Autorët kanë hyrë me forcë në objekt dhe kanë vjedhur rreth 30 biçikleta elektrike, vlera e të cilave tejkalon 100 mijë franga zvicerane.

Ngjarja është zbuluar të mërkurën në mëngjes nga drejtuesi i filialit të kompanisë “m-way”, Roland Kurth, 64 vjeç, i cili ka mbetur i tronditur kur ka parë se një pjesë e madhe e ekspozitës ishte boshatisur.
“Rreth 30 biçikleta elektrike ishin zhdukur. Në fillim nuk mund ta besoja”, ka deklaruar Kurth për gazetën zvicerane Blick.
Sipas tij, vetëm pasi ka vërejtur mjetet e përdorura për thyerje pranë hyrjes kryesore, ka kuptuar se dyqani ishte grabitur.
Policia kantonale e Aargaut ka konfirmuar se autorët kanë hyrë në sallën e ekspozitës duke thyer derën. Vlera e biçikletave të vjedhura vlerësohet të jetë dukshëm mbi 100 mijë franga.
Autorët morën vetëm biçikletat më të shtrenjta
Sipas drejtuesit të dyqanit, autorët duket se e kanë ditur saktësisht se cilat modele kishin vlerën më të lartë. Ata kanë marrë pothuajse vetëm biçikletat elektrike që kushtonin nga 7 mijë deri në 10 mijë franga, ndërsa modelet e tjera i kanë lënë në dyqan.
“Me sa duket, ata e dinin saktësisht se cilat biçikleta ishin më të shtrenjta. Morën vetëm modelet më të mira”, ka thënë Kurth.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat i janë dorëzuar policisë, shihen tre persona të veshur me rroba të errëta dhe me kapuçë. Megjithatë, fytyrat e tyre nuk mund të identifikohen.
Sipas vlerësimit të policisë, vjedhja ka zgjatur rreth dhjetë minuta. Dyshohet se autorët kanë përdorur disa automjete për transportimin e biçikletave.
Dyqani nuk kishte përjetuar një grabitje të tillë në 11 vjet
Drejtuesi i filialit thotë se në të kaluarën kishte pasur raste të vjedhjes së biçikletave elektrike nga hapësirat e ekspozimit, por jo një grabitje të përmasave të tilla, transmeton Telegrafi.
“Në njëmbëdhjetë vitet tona këtu nuk kemi përjetuar kurrë diçka të tillë”, ka deklaruar ai.
Pas ngjarjes, policia ka mbledhur provat dhe ka nisur hetimet. Ndërkohë, kompania po shqyrton mundësinë e instalimit të një sistemi të ri sigurie, i cili do të lidhej drejtpërdrejt me policinë dhe do të aktivizonte alarmin në rast të hyrjes me forcë.
Kurth thotë se biznesi është i siguruar, por ende nuk i di të gjitha detajet lidhur me mbulimin e dëmit. Përveç humbjes financiare, vjedhja ka shkaktuar edhe probleme në furnizim, pasi disa prej modeleve të vjedhura nuk janë më në dispozicion.
Drejtori: Ndonjëherë të bën të dyshosh te njerëzimi
Pavarësisht se biçikletat kanë çipa dhe numra identifikues në kornizë, mundësitë për t’i gjetur mbeten të kufizuara, veçanërisht nëse ato janë dërguar jashtë Zvicrës.
Kurth nuk pret që biçikletat të gjenden lehtë. Ai shpreson që hetimet e policisë të çojnë në identifikimin e autorëve.
I pyetur se çfarë do t’u thoshte personave që qëndrojnë pas kësaj vjedhjeje, drejtori i biznesit u përgjigj: “Nuk më lejohet të them se çfarë mendoj për njerëz të tillë”.
Ai shtoi se është vazhdimisht i habitur që ka njerëz të cilët merren me veprime të tilla për të siguruar jetesën.
“ Ndonjëherë të bën të vësh në dyshim njerëzimin”, përfundoi Kurth./Telegrafi/




