Sulmuesi i Manchester Cityt dhe babai i tij, Alf-Inge Haaland, e kishin blerë librin në dhjetor, për 1.3 milionë korona norvegjeze. Kjo konsiderohet shitja më e shtrenjtë e një libri në historinë e Norvegjisë.
Bëhet fjalë për një botim të vitit 1594 të veprës “Heimskringla”, të autorit islandez Snorri Sturluson, e shkruar në shekullin e 13-të. Libri përmban tregime historike për mbretërit, mbretëreshat, luftëtarët dhe jetën e popujve vikingë.

Haaland ka vendosur t’ia dhurojë bibliotekës së Brynes kopjen e vetme të mbijetuar të këtij botimi, në mënyrë që ajo të ekspozohet dhe të jetë e qasshme për publikun.
“Dua që libri të jetë gjithmonë i hapur, në mënyrë që njerëzit të lexojnë për ata që vijnë nga vendi prej nga vij edhe unë, nga Bryne dhe Jaeren”, ka thënë Haaland për mediat norvegjeze.
Ai ka theksuar se futbolli ia ka mundësuar realizimin e ëndrrave të tij, por jo të gjithë kanë mundësi ta përjetojnë një sukses të tillë.
“Librat u japin shumë më tepër njerëzve mundësinë të ëndërrojnë, të shohin mundësi të reja dhe të gjejnë rrugën e tyre”, ka thënë sulmuesi norvegjez.
Ndonëse pranon se vetë nuk ka qenë lexues i rregullt, Haaland ka treguar se gjithmonë ka pasur interesim për librat që lidhen me vikingët dhe anijet. Ai gjithashtu ka zbuluar se çdo mbrëmje i lexon libra djalit të tij.
Në kuadër të këtij aktiviteti, Haaland ka ftuar fëmijët dhe të rinjtë që të marrin pjesë në një garë leximi, e cila do të zgjasë gjatë muajve nëntor dhe janar.
Rreth 170 nxënës nga shkollat pjesëmarrëse do të angazhohen për të lexuar sa më shumë libra. Në fund, dy klasa dhe dy fitues individualë do të shpërblehen me mundësinë për të ndjekur një ndeshje ndërkombëtare në stadiumin Ullevaal në Oslo, gjatë Pashkëve të vitit 2027.
Burimi: RTKLive




