Gruaja vdiq në Barbados, ish-detektivi britanik dyshohet për abuzim dhe fshehje të provave

Gruaja vdiq në Barbados, ish-detektivi britanik dyshohet për abuzim dhe fshehje të provave

Gruaja vdiq në Barbados, ish-detektivi britanik dyshohet për abuzim dhe fshehje të provave

Një ish-detektiv i Policisë Metropolitane në Londër, Warren Arter, dyshohet se ka abuzuar seksualisht dhe fizikisht për më shumë se një dekadë me bashkëshorten e tij, Rebekah Arter, vdekja e së cilës në një hotel në Barbados, në qershor të vitit 2024, ende nuk është zbardhur plotësisht.

Një hetim i emisionit “Panorama” të BBC-së ka zbuluar dështime të autoriteteve në Barbados për ruajtjen e provave dhe intervistimin e stafit të hotelit lidhur me sjelljen e dyshimtë të ish-policit para dhe pas vdekjes së bashkëshortes së tij, në moshën 47-vjeçare.

Sponsor 3M Express

Familjarët e Rebekahut, të cilët kanë folur publikisht për herë të parë, kanë kritikuar edhe Policinë Metropolitane britanike, pasi ajo nuk dërgoi hetues në Barbados, pavarësisht kërkesës së familjes për ndihmë.

Sipas BBC-së, Arter e kishte takuar Rebekahun në vitin 2006, kur ajo kishte raportuar në polici për dhunë në familje. Ai ishte polici që kishte trajtuar rastin e saj, por më vonë kishte nisur një lidhje me të dhe ishte vendosur në shtëpinë e saj.

Për më shumë se një dekadë, ai dyshohet se e kishte nënshtruar atë ndaj dhunës seksuale e fizike, kontrollit shtrëngues dhe përdorimit të drogës pa dijeninë e saj.

Në vitin 2009, Arter ishte vendosur në krye të një njësie në juglindje të Londrës që hetonte rastet e përdhunimit. Më vonë, ai ishte pezulluar nga detyra dhe ishte hetuar nga Zyra e Pavarur për Sjelljen e Policisë (IOPC) për sjelljen ndaj tetë viktimave të dyshuara. Megjithatë, ai nuk ishte dënuar për këto raste.

BBC ka intervistuar disa punonjës të hotelit luksoz O2 Beach Club në Barbados, ku çifti po qëndronte në kohën e vdekjes së Rebekahut. Sipas tyre, sjellja e Arterit kishte qenë e dyshimtë.

Dy punonjës që kishin hyrë në dhomën e çiftit pas telefonatës së Arterit në recepsion, ku ai kishte raportuar se bashkëshortja ishte rrëzuar dhe nuk ndihej mirë, thanë se Rebekah ishte tashmë e vdekur.

Një pjesëtar i sigurimit të hotelit, i identifikuar si Andrew, ka treguar se Arter kishte tentuar të largohej drejt një feste në rrugën afër hotelit, para se të mbërrinin shërbimet emergjente.

“Pra, po e pyesja, pse ke nevojë të largohesh kur këtu ke një problem shumë më të madh?”, ka rrëfyer Andrew.

Sipas tij, Arter ishte përgjigjur: “Oh, thjesht më duhet ta qartësoj mendjen”.

Andrew ka thënë se më pas Arter kishte filluar të qante dhe kishte tentuar të kryente reanimim kardiopulmonar, pavarësisht se buzët e Rebekahut ishin të kaltra.

Ai gjithashtu ka treguar se Arter kishte dhënë versione të ndryshme për atë që kishte ndodhur. Fillimisht kishte thënë se bashkëshortja ishte rrëzuar pranë një komodeje, ndërsa më vonë kishte deklaruar se e kishte gjetur ashtu.

Sipas dëshmitarit, nuk kishte shenja të dukshme të lëndimit në kokën e saj, ndonëse kishte njolla gjaku në shtrat, mur dhe në hapësirën e dhomës së ndenjjes.

Edhe punonjës të tjerë të hotelit kanë shprehur dyshime për trajtimin që Arter i bënte bashkëshortes. Mbikëqyrësi i sigurimit, Kenneth, ka thënë se ai ishte kontrollues dhe nuk e lejonte Rebekahun të bënte asgjë vetë, ndërsa ajo shpesh dukej e dehur.

Një punonjëse e recepsionit ka deklaruar se stafi dyshonte se Arter po i jepte drogë bashkëshortes pa dijeninë e saj.

Pas vdekjes së Rebekahut, Arter u kishte dhënë familjarëve dhe miqve versione të ndryshme për rrethanat e saj. Ai kishte pretenduar se ajo ishte mbytur, ishte rrëzuar dhe kishte goditur kokën, apo se ai ishte zgjuar dhe e kishte gjetur të vdekur.

Djali i Rebekahut, Elliot, dhe bashkëshortja e tij, Lacey, kanë treguar se kur kishin vizituar shtëpinë ku ajo jetonte me Arterin, kishin gjetur lloje të ndryshme droge dhe kamera të fshehta të vendosura nga ai. Po ashtu, kishin zbuluar fotografi të Rebekahut të zhveshur dhe me mavijosje, në situata seksuale që dyshohet se ishin regjistruar pa pëlqimin e saj.

Katër ditë pas vdekjes, familjarët kishin shkuar në një stacion policor në Bexleyheath për të raportuar shqetësimet e tyre lidhur me përfshirjen e mundshme të Arterit.

Megjithatë, Policia Metropolitane nuk dërgoi hetues në Barbados. Sipas BBC-së, një zyrtar i lartë i policisë britanike ishte informuar për rastin, por institucioni kishte vendosur se nuk ishte e përshtatshme të dërgoheshin hetues pa pasur një pretendim konkret për vepër penale.

Në hetimin e mëvonshëm në Britani, u zbuluan edhe mangësi serioze në mënyrën se si ishte trajtuar trupi i Rebekahut nga autoritetet në Barbados.

Një patolog britanik, i cili kishte ekzaminuar trupin pas kthimit të tij në Britani, kishte konstatuar se organet e saj ishin prerë në pjesë të vogla, pa ndonjë qëllim mjekësor, duke shkatërruar prova të rëndësishme.

Gjithashtu, nuk ishin kryer teste të rëndësishme toksikologjike dhe histologjike për të identifikuar shenja të mundshme të sëmundjeve, lëndimeve apo ndryshimeve në organizëm.

Mjeku ligjor britanik, Andrew Harris, kishte thënë se këto mangësi ngrinin dyshime për “fshehje të qëllimshme ose pengim të hetimeve të mëtejshme”.

Ai nuk kishte pranuar shkakun e vdekjes të përcaktuar nga autoritetet në Barbados, pneumoninë aspirative, dhe kishte dhënë një vendim të hapur për shkakun e vdekjes.

Sipas përfundimeve të tij, vdekja e Rebekahut ka të ngjarë të ketë përfshirë dehje nga substancat, ndërsa nuk mund të përjashtohej mundësia e një vrasjeje të paligjshme.

Policia në Barbados kishte deklaruar më herët se në trupin e saj nuk ishin gjetur shenja dhune dhe se nuk kishte asgjë që sugjeronte rrethana të dyshimta. Sipas saj, nuk ishin urdhëruar teste toksikologjike pasi besohej se vdekja kishte ardhur nga shkaqe natyrore.

Një javë pas vdekjes së bashkëshortes, Arter ishte kthyer në Britani, ku ishte arrestuar në aeroportin Heathrow nën dyshimin për vepra seksuale ndaj një gruaje tjetër, rastin e së cilës e kishte hetuar në vitin 2010.

Ai kishte vdekur tri ditë më vonë në burgun Wandsworth, pasi kishte bërë vetëvrasje.

Ndërkohë, familja e Rebekahut vazhdon të kërkojë përgjigje për rrethanat e vdekjes së saj, e cila edhe pas dy vjetësh mbetet e pazbardhur.

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

Tirana mbetet pa samitin e NATO-s në vitin 2027, Aleanca shkurton edhe takimet e ministrave – zbardhet riorganizimi

Tirana mbetet pa samitin e NATO-s në vitin 2027, Aleanca shkurton edhe takimet e ministrave – zbardhet riorganizimi

Tirana mbetet pa samitin e NATO-s në vitin 2027, Aleanca shkurton edhe takimet e ministrave – zbardhet riorganizimi

Tirana mbetet pa samitin e NATO-s në vitin 2027, Aleanca shkurton edhe takimet e ministrave – zbardhet riorganizimi

Moska kërkon ta kthejë NATO-n 29 vjet prapa – zbulohet dokumenti rus që synon të ndryshojë sigurinë e Evropës

Moska kërkon ta kthejë NATO-n 29 vjet prapa – zbulohet dokumenti rus që synon të ndryshojë sigurinë e Evropës

Gruaja vdiq në Barbados, ish-detektivi britanik dyshohet për abuzim dhe fshehje të provave | Momenti