Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy personave, A.U. dhe L.I., të dyshuar për grabitjen e dy argjendarive në Gjakovë.

Sipas njoftimit të kësaj gjykate, ata dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja”, ndërsa njëri prej tyre dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Në njoftim thuhet se rasti i parë ka ndodhur më 5 nëntor 2026, rreth orës 17:15, në argjendarinë “Xhintoni”, në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë. Të dyshuarit, të maskuar dhe të armatosur, dyshohet se kishin planifikuar grabitjen dhe kishin përdorur një veturë me targa të vjedhura.
Gjatë këtij rasti, gjithnjë sipas njoftimit, njëri prej tyre, i armatosur me armë automatike, kishte kërcënuar pronarin dhe nënën e tij, ndërsa tjetri kishte thyer vitrinat me çekan dhe kishte marrë stoli ari në vlerë prej 27 mijë eurosh, si dhe 1 mijë e 600 euro para të gatshme.
Ndërkaq, në njoftim thuhet se grabitja e dytë dyshohet se ka ndodhur më 16 nëntor, rreth orës 16:56, në argjendarinë “Balt Simoni”, në rrugën “Sylejman Hadum Aga” në Gjakovë.
Në njoftimin e gjykatës, i referohet kërkesës së prokurorisë, me ç’rast ata dyshohen se kishin vepruar në të njëjtën mënyrë, duke përdorur një veturë me qira dhe duke i vendosur targa të vjedhura.
“Pas vëzhgimit të lokalit, A.U., me armë automatike, kishte kërcënuar të dëmtuarin M. S. dhe familjarët e tij, ndërsa L. I., me çekan, kishte thyer xhamat dhe kishte marrë stoli ari nga sirtarët. Gjatë grabitjes kishte ndërhyrë i dëmtuari Sh. V., ndaj të cilit A. U. kishte shtënë me armë zjarri, duke e plagosur në këmbën e djathtë. Më pas, të pandehurit ishin larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.”, thuhet në njoftim.
Gjykata ka bërë të ditur se masa e paraburgimit do të zgjasë nga 17 nëntori deri më 17 dhjetor 2026.
Burimi: Insajderi




