Samiti trepalësh përfundon me “deklaratë paqeje”, por pa përmendur Ukrainën dhe Iranin

Samiti trepalësh përfundon me “deklaratë paqeje”, por pa përmendur Ukrainën dhe Iranin

Samiti trepalësh përfundon me “deklaratë paqeje”, por pa përmendur Ukrainën dhe Iranin

Samiti i paprecedentë mes presidentit amerikan, Donald Trump, liderit kinez, Xi Jinping, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, përfundoi me një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në reformat e Kombeve të Bashkuara, furnizimin me karburante dhe uljen e rreziqeve bërthamore. Megjithatë, dokumenti nuk përmend luftërat në Ukrainë dhe Iran.

Sponsor 3M Express

Pavarësisht pritshmërive të mëdha dhe deklaratave të fuqishme në fillim të takimit, samiti nuk prodhoi ndonjë përparim të menjëhershëm diplomatik. Ai përfundoi pa deklarata të përbashkëta për media, ndërsa Trump u largua menjëherë drejt aeroportit.

Në një video të publikuar nga Kremlini, Putin dëgjohet duke i thënë Xi-së: “Faleminderit që e organizuat këtë. Nuk mendoj se dikush e kishte pritur që gjithçka të shkonte kaq mirë”, teksa lideri kinez e përcillte drejt veturës, transmeton Telegrafi.

Mediat shtetërore kineze dhe zyrtarët rusë publikuan dokumentin e quajtur “Deklarata trepalëshe e paqes”, në të cilin tre liderët shprehën angazhimin për ruajtjen e stabilitetit strategjik dhe sigurisë ndërkombëtare.

Sipas deklaratës, SHBA-ja, Kina dhe Rusia u pajtuan për reforma në OKB, rritjen e prodhimit dhe furnizimit me produkte të naftës, si dhe zhvillimin e dialogut për uljen e rreziqeve bërthamore. Dokumenti përmend gjithashtu respektimin e imunitetit të zyrtarëve shtetërorë dhe kundërshtimin ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe institucioneve të ngjashme, të cilat, sipas tekstit, abuzojnë me juridiksionin e tyre.

Megjithatë, deklarata nuk përmban referenca të drejtpërdrejta për Ukrainën, Iranin, Korenë e Veriut apo çështje të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.

Para takimit, Trump kishte thënë se dëshironte të diskutonte për zvogëlimin e arsenalit bërthamor, luftën e Rusisë në Ukrainë dhe problemet kryesore që po diskutohen në botë.

Putin ishte i pari nga tre liderët që mbajti një konferencë për mediat ruse pas përfundimit të samitit. Ai e cilësoi takimin si një “kapitull të rëndësishëm në historinë e diplomacisë”, duke thënë se diskutimet u zhvilluan në një atmosferë plotësisht të hapur dhe ndihmuan palët ta kuptonin më mirë njëra-tjetrën.

Presidenti rus shtoi se ai dhe Trump kanë një afërsi të caktuar në qëndrimet e tyre, veçanërisht sa u përket vlerave qytetëruese.

Duke folur për luftën në Ukrainë, Putin pretendoi se Kievi dhe Evropa nuk janë ende të gatshëm të bëjnë kompromise për t’i dhënë fund konfliktit.

Në fillim të samitit, ai kishte konfirmuar se lufta në Ukrainë do të ishte pjesë e diskutimeve, duke thënë se Rusia dhe partnerët e saj kanë interesa të përbashkëta në këtë çështje. Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi pas takimit se Ukraina nuk ishte tema kryesore e samitit.

“Rusia, SHBA-ja dhe Kina nuk bashkohen vetëm nga statusi i tyre si fuqi fituese në Luftën e Dytë Botërore, por edhe nga përgjegjësia për ruajtjen e paqes ndërkombëtare”, kishte deklaruar Putin para bisedimeve.

Ndërkohë, presidenti kinez Xi Jinping e përshkroi takimin si “pozitiv, konstruktiv dhe frytdhënës”. Sipas mediave shtetërore kineze, ai tha se fuqitë e mëdha duhet t’i marrin seriozisht shqetësimet legjitime të sigurisë së të gjitha vendeve.

– YouTube www.youtube.com

“Për sa kohë që dialogu nuk ndalet dhe dyert mbeten të hapura, ekziston shpresa për paqe”, citohet të ketë thënë Xi.

Ai shtoi se “farat e mbjella në takimin e sotëm trepalësh me siguri do të zënë rrënjë, do të mbijnë, lulëzojnë dhe japin fryte”.

Tre liderët pozuan për një fotografi të përbashkët familjare në fillim të samitit, pa shtrënguar duart. Takimi përfundoi pas një ore e 20 minutash, pa ndonjë deklaratë të përbashkët për media.

Në deklaratat para bisedimeve, Trump tha se tri vendet “po bëjnë histori” dhe kanë përgjegjësi të mëdha për zgjidhjen e problemeve që prekin të gjithë planetin.

Xi e cilësoi samitin si një takim me “rëndësi historike”, duke shtuar se bota është më paqësore kur fuqitë e mëdha jetojnë në harmoni. Ai u bëri thirrje tri vendeve të heqin dorë nga mentaliteti i Luftës së Ftohtë dhe të mos ndjekin shkëputjen ekonomike apo ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit.

Lideri kinez theksoi gjithashtu se vendet e mëdha duhet të respektojnë njëra-tjetrën, të bashkëjetojnë në paqe dhe të bashkëpunojnë për stabilitetin e furnizimit global me energji.

Në prag të samitit, agjencia shtetërore kineze e lajmeve publikoi edhe një deklaratë të Xi-së për çarmatimin bërthamor. Ai kërkoi ndalimin e plotë dhe shkatërrimin e armëve bërthamore, duke i cilësuar ato si “shpatën e Damokleut që qëndron mbi njerëzimin”.

“Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë”, ishte mesazhi i tij.

Edhe Trump tha se tri vendet janë në një pozitë të veçantë për të diskutuar mbi armët bërthamore dhe për të luftuar përhapjen e tyre në vende të tjera. Ai shtoi se liderët e mëparshëm shpesh kanë shmangur bisedimet me udhëheqës me të cilët kishin mospajtime.

Para takimit trepalësh, Trump dhe Xi zhvilluan një takim dypalësh, i treti i rëndësishëm mes tyre gjatë këtij viti.

Gjatë bisedimeve, presidenti amerikan tha se SHBA-ja dhe Kina dëshirojnë të ndihmojnë në përfundimin e luftës në Ukrainë, duke theksuar se të dyja vendet po kërkojnë mënyra për të kontribuar në zgjidhjen e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.

Trump vlerësoi marrëdhëniet e tij me Xi-në dhe përmendi interesin e përbashkët për vazhdimin e transportit të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila është bërë një nga pikat kryesore të sulmeve gjatë luftës në Iran.

Nga ana tjetër, Xi tha se marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA-së kanë qenë përgjithësisht të qëndrueshme dhe janë përmirësuar gjatë presidencës së Trumpit.

“Përpjekjet që keni bërë janë të dukshme për të gjithë dhe do të mbeten në histori”, i tha ai presidentit amerikan.

Trump u takua gjithashtu me Putinin para samitit, duke deklaruar se të dy kanë pasur marrëdhënie të mira për shumë vite.

Ky ishte takimi i parë mes tyre që nga bisedimet në Alaskë vitin e kaluar, të cilat nuk arritën të prodhonin një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Gjëra të mrekullueshme mund të dalin nga ky takim, ose të paktën mund të nisin”, tha Trump gjatë përshëndetjes së Putinit, të cilin e quajti mikun e tij.

Samiti ka nxitur shqetësime se tri fuqitë mund të përpiqen ta ndajnë botën në zona ndikimi, duke marrë vendime për çështje si e ardhmja e Ukrainës pa përfshirjen e Kievit apo të vendeve evropiane.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, reagoi pas samitit në Shenzhen, duke thënë se tre liderët kanë mospajtime thelbësore për pothuajse gjithçka dhe për këtë arsye nuk mund të arrijnë marrëveshje për asgjë.

Ai gjithashtu kundërshtoi idenë se fotografia e tre liderëve përfaqësonte tri fuqitë më të mëdha botërore.

“Tri fuqitë më të mëdha të botës janë SHBA-ja, natyrisht, Kina dhe Bashkimi Evropian”, tha Barrot për radion RTL. /Telegrafi/

Lexo edhe

Mbi 60 mijë euro dëme nga vjedhjet në Fushë Kosovë, arrestohen tre të dyshuar – sekuestrohen ari, para dhe armë

Mbi 60 mijë euro dëme nga vjedhjet në Fushë Kosovë, arrestohen tre të dyshuar – sekuestrohen ari, para dhe armë

Inspektorati ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Brezovicë dhe pezullon një biznes në Skenderaj

Inspektorati ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Brezovicë dhe pezullon një biznes në Skenderaj

Haxhiu reagon pas kthimit të Jakup Krasniqit në Kosovë: Jam pranë tij dhe familjes

Haxhiu reagon pas kthimit të Jakup Krasniqit në Kosovë: Jam pranë tij dhe familjes