Gjykata vendos për pesë të dyshuarit për grup kriminal dhe narkotikë
05 nëntor 2026 • 17:04
Gjykata vendos për pesë të dyshuarit për grup kriminal dhe narkotikë
LAJME
05 nëntor 2026 • 17:04
Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji pesë të pandehurve.
Të dyshuarit ngarkohen me veprat penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar dhe veprimtarive të kundërligjshme me narkotikë.
Sipas njoftimit të gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar për të pandehurit me inicialet I.S., F.S., A.C., A.E. dhe V.S.
Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që, nëse të pandehurit lihen në liri, ata mund të pengojnë zhvillimin e procedurës penale, të ndikojnë në prova dhe dëshmitarë, si dhe t’i shmangen ndjekjes penale.
Një tjetër arsye e paraqitur nga gjykata është edhe rreziku i arratisjes, pasi disa prej të pandehurve janë shtetas të Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që të pandehurit të përsërisin veprat e njëjta ose të kryejnë vepra të tjera penale.