Haxhi Shala ka fituar kontestin gjyqësor ndaj Ministrisë së Drejtësisë lidhur me vendimin për kufizimin e mbështetjes financiare për mbrojtjen e tij juridike në Dhomat e Specializuara të Kosovës, i marrë në kohën kur ministrinë e drejtonte Albulena Haxhiu.

Ish-deputeti dhe njëri nga komandantët e UÇK-së ishte akuzuar nga Dhomat e Specializuara më 6 dhjetor 2023, nën akuzat që ndërlidheshin me administrimin e drejtësisë.
Disa javë më vonë, Ministria e Drejtësisë kishte vendosur që mbrojtjen e tij ta mbështeste financiarisht me vetëm 1 mijë euro në muaj.
Ky vendim ishte bazuar në Udhëzimin Administrativ të vitit 2024, i cili ndryshonte atë të vitit 2022 dhe kufizonte mbështetjen financiare për rastet që kishin të bënin me akuza kundër administrimit të drejtësisë.
Me ndryshimet e këtij udhëzimi ishte kufizuar edhe mbështetja financiare për krerët e UÇK-së dhe rastet e tjera që ndërlidheshin me akuzat për krime lufte, duke u hequr mundësia që në raste të jashtëzakonshme të lejoheshin fonde shtesë.
Për këto ndryshime kishin reaguar avokatët mbrojtës, por shqetësimet e tyre nuk ishin marrë parasysh nga Haxhiu.
Gjykata: Ministria zbatoi udhëzimin e gabuar
Gjykata Administrative, sipas vendimit të siguruar nga VOX Kosova, ka konstatuar se marrëveshja e ofruar nga Ministria e Drejtësisë në shkurt të vitit 2024, për mbështetje prej 1 mijë eurosh në muaj, ishte në kundërshtim me praktikat e ndjekura në raste të tjera me akuza të ngjashme.
Si shembull, gjykata ka përmendur rastin e Nasim Haradinajt, të cilit i ishin ndarë 81 mijë euro për muaj për mbulimin e shpenzimeve të avokatëve, si dhe mospërputhjen me Udhëzimin Administrativ të vitit 2022.
Sipas gjykatës, në rastin e Shalës duhej të zbatohej Udhëzimi Administrativ nr. 08/2022 dhe jo ai i vitit 2024.
Pasi Ministria kishte vendosur që mbështetja financiare të kufizohej në 1 mijë euro në muaj, Shala, përmes avokatit të tij, kishte paraqitur ankesë në ministri më 21 shkurt 2024.
Megjithatë, edhe kjo ankesë ishte refuzuar.
Në vendimin e marrë më 8 nëntor 2026, Gjykata Administrative ka vlerësuar se Ministria nuk e kishte trajtuar kërkesën në përputhje me udhëzimin që ishte në fuqi në kohën e ngritjes së aktakuzës.
“E paditura qëllimshëm nuk e ka trajtuar kërkesën konform Udhëzimit Administrativ nr.08/2022, sepse paditësi kërkesën për kompensim e ka ushtruar pranë të paditurës para se të hyjë në fuqi UA nr.01/2024, derisa ishte në fuqi UA nr.08/2022. Përveç se e paditura ka aplikuar gabueshëm UA-në, e njëjta ka përcaktuar në mënyrë të pabazë nivelin e çështjes sepse rastin e paditësit do të duhej ta kualifikonte si komplekse sipas UA nr.08/2022”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Ankesën e kishte refuzuar vetë Albulena Haxhiu
Vendimin për refuzimin e ankesës së Shalës e kishte marrë vetë Albulena Haxhiu, në atë kohë ministre e Drejtësisë.
Gjykata ka vërtetuar se përmes Vendimit nr. 43/2024, të datës 29 shkurt 2024, Haxhiu e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit të Shalës për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike.
Në arsyetimin e këtij vendimi, Ministria kishte theksuar se Komisioni për Shqyrtim dhe Vendosje kishte shqyrtuar kërkesën dhe dokumentacionin e avokatit mbrojtës, duke marrë parasysh numrin dhe natyrën e akuzave në aktakuzë.
Bazuar në këta faktorë, Komisioni kishte vendosur që kompensimi për mbrojtjen juridike të bëhej në përputhje me Udhëzimin Administrativ nr. 01/2024, në shumën prej 1 mijë eurosh.
Këtë arsyetim të Ministrisë gjykata e ka vlerësuar si të pambështetur në dispozitat që duhej të zbatoheshin në rastin e Shalës.
Pse duhej të zbatohej udhëzimi i vitit 2022?
Gjykata ka shpjeguar se Udhëzimi Administrativ i vitit 2022 ishte i zbatueshëm për rastin e Shalës, pasi aktakuza ndaj tij ishte ngritur më 6 dhjetor 2023 dhe ishte bërë publike më 12 dhjetor të po atij viti.
Ndërkaq, Udhëzimi i ri Administrativ nr. 01/2024 kishte hyrë në fuqi më 7 shkurt 2024, pra rreth dy muaj pas ngritjes së aktakuzës.
Sipas gjykatës, Udhëzimi i vitit 2022 përcaktonte se procedurat, kushtet dhe kriteret për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike zbatoheshin nga momenti i ngritjes së aktakuzës.
Në vendim, gjykata i është referuar edhe nenit 4, paragrafit 1 të këtij udhëzimi, i cili përcakton se personat e akuzuar potencialë trajtohen në mënyrë të barabartë dhe ndalohet çdo lloj diskriminimi ndaj tyre.
Po ashtu, neni 5 përcakton se Qeveria, përmes Ministrisë së Drejtësisë, siguron mbulimin e shpenzimeve për mbrojtjen juridike të personit të akuzuar potencial, në përputhje me kushtet dhe kriteret e parapara me Ligjin nr. 05/L-053, Ligjin nr. 05/L-054 dhe Rregulloret e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sipas kësaj dispozite, mbulimi i shpenzimeve fillon nga momenti i ngritjes së aktakuzës.
Gjykata ka vënë në pikëpyetje arsyen pse Komisioni i Ministrisë nuk e kishte zbatuar udhëzimin e vitit 2022.
“Gjykata sqaron se në rastin konkret është e paqartë përse Komisioni i të paditurës nuk ka zbatuar Udhëzimin nr.08/2022, duke qenë se zbatueshmëria e këtij Udhëzimi për mbulimin e shpenzimeve fillon në momentin e ngritjes së aktakuzës siç përcakton neni 5”, thuhet në vendim.
Më tej, gjykata ka sqaruar se momenti i ngritjes së aktakuzës përcakton pikënisjen e mbulimit të shpenzimeve, ndërsa paraqitja e kërkesës nga pala është vetëm kusht procedural për fillimin e procedurës së kompensimit.
Sipas gjykatës, Ministria nuk vepron sipas detyrës zyrtare, por vetëm pas kërkesës së palës. Megjithatë, kërkesa duhet të vlerësohet në raport me nenin 5 të Udhëzimit Administrativ nr. 08/2022.
Për këtë arsye, gjykata e ka konsideruar vendimin e Ministrisë si juridikisht të mangët.
Ministria obligohet ta rishqyrtojë kërkesën e Shalës
Në përfundim, Gjykata Administrative e ka obliguar Ministrinë e Drejtësisë që ta rishqyrtojë kërkesën e Haxhi Shalës dhe të marrë një vendim të ri, duke zbatuar Udhëzimin Administrativ të vitit 2022.
Ministrisë i është caktuar afati prej 30 ditësh që, në procedurë të përsëritur, t’i marrë parasysh vërejtjet e gjykatës dhe t’i mënjanojë të metat e evidentuara.
“Në këtë drejtim, gjykata e obligon të paditurën që në afat prej tridhjetë (30) ditësh, në ri-procedurë të veprojë sipas vërejtjeve të dhëna në këtë aktgjykim dhe pasi t’i mënjanojë të metat e cekura, të marrë vendim të drejtë të bazuar në ligj. Vërejtjet e cekura janë të obligueshme për organin e paditur, duke u bazuar në nenin 65 të Ligjit për Konfliktet Administrative”, thuhet në vendim.
Ndryshe, Gjykata Speciale me seli në Hagë e kishte dënuar Haxhi Shalën me tre vjet burgim në shkurt të vitit 2025.
Më 10 shkurt 2026, Shala ishte liruar me kusht nga burgu.
Burimi: Insajderi





