Një gjykatë në qytetin Gijon, në veri të Spanjës, ka urdhëruar pezullimin e aktiviteteve të grupit të ekstremit të djathtë Nucleo Nacional, në kuadër të një hetimi për krime të dyshuara të urrejtjes dhe organizim të paligjshëm.

Vendimi përfshin mbylljen e selisë së organizatës, bllokimin e llogarive bankare dhe përmbajtjeve të saj në rrjetet sociale.
Masa gjyqësore vjen pas arrestimit të 14 anëtarëve të grupit javën e kaluar, të dyshuar për nxitje të urrejtjes ndaj grupeve të cenueshme dhe personave me bindje të ndryshme ideologjike.
Gjatë kontrolleve në selinë e organizatës në Madrid dhe në lokacione të tjera, policia ka sekuestruar më shumë se 20 armë zjarri, disa prej tyre pa leje, si dhe sasi të mëdha municioni dhe armësh të tjera të ndaluara.
Autoritetet spanjolle dyshojnë se organizata ka rekrutuar dhe indoktrinuar të rinj, përfshirë të mitur, duke i nxitur drejt veprimeve të urrejtjes, diskriminimit dhe dhunës ndaj grupeve të caktuara.
Grupi Núcleo Nacional, i cili e përshkruan veten si një lëvizje politike, ka reaguar duke i cilësuar veprimet e autoriteteve si “persekutim dhe represion politik”.





