Aktvendimi për urdhrin mbrojtës për Arlinda Zekajn, në të cilin shkruante edhe për ndarjen e shtëpisë me Jeton Sylajn, pavarësisht se i njëjti kishte precedent penal, është mes dokumenteve që tashmë janë në posedim të Këshillit Gjyqësor.
Kjo është bërë e ditur nga kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Shemsedin Haxhijaj.

“Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor ka autorizuar Drejtorin e Inspektimit, realisht kanë ardhur dy inspektor i kanë marr shkresat e lëndës edhe kanë me dal me një raport të detajuar e të analizuar prej momentit që është dorëzuar kërkesa e derisa ka marr epilog…”, ka theksuar, Shemsedin Haxhijaj – Kryetar i Gjykatës Themelore në Pejë.
Përmes telefonit, Haxhiaj, ka komentuar edhe vendimin kundërthënës, dukë thënë se kufizimet ishin kërkesa të palëve.
“Në raportet civile gjyqtari që e ka për trajtim lëndën është i lidhur vetëm për kërkesën e palës. Veç çka kërkon pala, në këtë rast vetëm Zyra për mbrojtjen e viktimave dhe avokatja e të ndjerës dhe s’mundemi asgjë me ndërmarrë jashta kërkesës që e kanë ata edhe gjyqtari ka vendosur konform kërkesës që e ka pas…”, ka deklaruar ai.
Përmes një komunikate për media, KGJK-ja, ka konfirmuar se kryesuesi Rrustem Thaqi të hënën kishte autorizuar Drejtorin e Njësisë për Inspektim Gjyqësor, për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve dhe raporti i është dorëzuar gjatë ditës KGJK-sw.
“Me datën 17 shtator 2026, znj. Arlinda Sylaj Zekaj i është drejtuar me kërkesë Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, ku ka shprehur pretendimet se gjyqtari i çështjes ka vendosur kundërligjshëm dhe pas afateve ligjore. Kryetari i Gjykatës në Pejë, po të njëjtën ditë, me datën 17 shtator 2026 i është drejtuar gjyqtarit të çështjes me kërkesë që ta informohet lidhur më çështjen si dhe me veprimet e ndërmarra. Po të njëjtën ditë, gjyqtari i çështjes është përgjigjur në kërkesën e Kryetarit. Ndërsa, me datën 20 tetor 2026 Kryetari i Gjykatës me shkresën GJA.nr.197/26 i është përgjigjur znj. Arlinda Syla Zekaj duke i sqaruar të gjitha veprimet e ndërmarra nga Gjykata në lidhje me rastin.”
Në gjetjet e tjera të Njësisë, sipas komunikatës kanë qenë që në asnjë shkresë e lëndës nuk ka përfshirë Albert Sylajn, i dyshuari për vrasjen e Arlindës, dhe se në Këshill, nuk është gjetur asnjë kërkesë e adresuar për këtë institucion nga viktima.
Por, një letër për ndihmë nga Arlinda para se të vritej, kishte shkuar në adresë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, e të cilët më pas i ishin drejtuar kryeprokurores në Pejë.
Në Këshillin Prokurorial janë në pritje të raportit nga zyra e kryeprokurorit të shtetit, për të vazhduar me hapat tutje.
“Ju njoftojmë se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) është duke përcjellë me vëmendje rastin në fjalë. Në këtë drejtim, përgjegjësia eventuale e prokurorëve bëhet në përputhje me dispozitat e Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, duke respektuar procedurat dhe kompetencat e përcaktuara me ligj, pas pranimit të njoftimit apo kërkesës nga autoriteti komeptent. Këto dispozita nuk i japin KPK-së mandat dhe kompetencë për shqyrtim të mënyrës së trajtimit të rasteve penale në mënyrë të drejtpërdrejtë, sipas detyrës zyrtare. Deri më tani, KPK-ja nuk ka pranuar kërkesë zyrtare nga autoriteti kompetent për trajtimin e kësaj çështjeje. Në rast të pranimit të një kërkese apo informacioni zyrtar që kërkon veprim brenda kompetencave të tij, KPK-ja do ta trajtojë atë në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.”
Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt, tashmë ka kaluar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, meqë kështu vendosi kryeprokurori i shtetit Zejnulla Gashi.
Arlinda e cila e kishte raportuar ish bashkëshortin për dhunë në familje, kishte paralajmëruar të gjitha institucionet e drejtësisë për rrezikun që ishte.
Ajo u vra nga ish kunati, i saj i cili u arrestua një ditë më parë./TVDUKAGJINI
Burimi: Dukagjini




