Kreu i Alenacës, Ardian Gjini, ka deklaruar se Kosova nuk ka përfituar as në aspektin taktik, as strategjik e as ligjor nga kthimi në Kuvend i Ligjit për Dhomat e Specializuara, me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Në një konferencë për media, Gjini ka bërë të ditur se Aleanca ka qenë kundër kthimit të ligjit për rishqyrtim. Ai ka kërkuar që, përveç kësaj çështjeje, vëmendja publike të përqendrohet edhe te problemet e tjera që, sipas tij, po rëndojnë jetën e qytetarëve dhe po e dëmtojnë shtetin e Kosovës.
“E di që është interes i publikut ligji, Aleanca ka qenë kundër kthimit të ligjit në Kuvend. Nuk mendojmë që Kosova ka fituar diçka as taktikisht, as strategjikisht, as legalisht. Vendime të tjera do t’i bëjmë me dije. Mirëpo, po ju lutem, nuk guxojmë me i harru gjitha temat që e rëndojnë për çdo ditë jetën e qytetarit dhe që janë duke e degraduar komplet shtetin e Kosovës. Duke e dëmtuar deri në palcë shtetin tonë, veç me një ndjenjë që dikush e ka marrë një temë tjetër dhe po e harron temat esenciale. Është temë tepër me rëndësi ligji, për Kosovën, për të ardhmen e Kosovës, por unë po besoj që vendi jonë nuk guxon me e heq fokusin edhe prej temave të tjera”, tha ai, raportoi Ekonomia Online.
Gjini ka kritikuar Qeverinë, duke pretenduar se debati për Ligjin për Dhomat e Specializuara po i lë në hije problemet e tjera dhe po e largon vëmendjen nga çështjet që, sipas tij, kërkojnë trajtim urgjent.
“Duhet me u marrë me të gjitha për shkak se është një farë forme po ndihet komod qeveria. Përderisa të gjithë ne merremi veç me një temë, e për të cilën ata një farë forme ka 7-8 vjet që i kanë çuar duart, as nuk janë marrë me to. Po ndihen shumë komod përderisa e kanë mbuluar komplet sistemin korruptiv, kleptokratik në Kosovë, me një temë tjetër. Duhen me u marrë edhe me tema të tjera. Nuk guxojmë me harru çka do të ndodhë në Kosovë, për shkak se edhe këto janë të lidhura me veten. Nuk mundemi ne me pas as diplomaci qysh duhet, nëse shpenzojmë 260 milionë euro ne vjet për me ble energji elektrike. E një ambasadë e jona në Uashington nuk ka mjetet mjaftueshme, as me ia pagu një kafe dikujt. Literalisht po flas”, tha Gjini.
Ai ka lidhur gjendjen ekonomike dhe energjetike me funksionimin e diplomacisë së Kosovës, duke pretenduar se shpenzimet vjetore për importin e energjisë elektrike po e kufizojnë mundësinë e shtetit për të mbështetur institucionet e tjera, përfshirë ambasadën në Uashington.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




