Një gjimnast nga shteti amerikan i Tennessee-t ka hyrë në Librin e Rekordeve Guinness, pasi arriti të qëndrojë në duar, duke mbështetur peshën e trupit mbi nyjat e gishtave, për 1 minutë e 23 sekonda.

Madden Shelley, i cili merret me gjimnastikë që nga mosha gjashtëvjeçare, tha se iu deshën më shumë se katër muaj stërvitje intensive për të arritur rezultatin rekord, transmeton Telegrafi.
Ai kishte shpresuar që një ditë të garonte në Lojërat Olimpike, por një hernie diskale dhe fraktura nga stresi e detyruan të ndërpriste për një kohë të gjatë stërvitjen.
Gjatë rikuperimit, Shelley zbuloi kategorinë e sportit dhe fitnesit në Guinness World Records dhe vendosi të synonte rekordin për qëndrimin më të gjatë në duar, i mbështetur mbi nyjat e gishtave, në kategorinë e meshkujve.
Faza e parë e përgatitjes zgjati katër javë dhe u përqendrua te teknika bazë. Shelley shpjegoi se ky ushtrim nuk është pjesë tradicionale e gjimnastikës, ndaj ai eksperimentoi me pozicione të ndryshme të nyjave të gishtave dhe studioi video të sportistëve të tjerë që kryenin të njëjtën lëvizje.
Gjashtë javët pasuese ia kushtoi përmirësimit të ekuilibrit, duke u përpjekur të ruante qëndrueshmërinë ndërsa mbështetej mbi nyjat e gishtave.
Në fazën e tretë, e cila zgjati edhe gjashtë javë, ai u përqendrua te zhvillimi i qëndrueshmërisë për të përballuar dhimbjen gjatë ushtrimit.
Sipas Shelley-t, presioni mbi nyjat e gishtave ishte i madh dhe dhimbja bëhej veçanërisht e fortë kur përpiqej të qëndronte në këtë pozicion për më shumë se një minutë.
“Pas çdo përpjekjeje, nyjat e gishtave më fryheshin, ndaj e menaxhoja me kujdes aktivitetin dhe pushimin, duke përdorur edhe akull pas stërvitjes”, tregoi ai për Guinness World Records.
Shelley e realizoi përpjekjen zyrtare më 11 shtator 2025, duke qëndruar në këtë pozicion për 1 minutë e 23 sekonda.
Rezultati ishte i mjaftueshëm për të vendosur rekordin e ri, i cili tashmë është certifikuar zyrtarisht nga Guinness World Records. /Telegrafi/




