Fillimisht ishte vetëm një mosmarrëveshje, por më pas situata degjeneroi në përleshje fizike. Papritur, u dëgjuan edhe të shtëna armësh, raporton bild. Më shumë se pesë muaj pas një sulmi brutal në një ish-kafene në rajonin e Ruhrit, Policia ka nisur kërkimin publik për njërin nga të dyshuarit. Autoritetet kanë lëshuar paralajmërim të veçantë, pasi dyshohet se burri mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm.

I kërkuari mund të ndodhet ende në qytetin Hamm, në landin Nordrhein-Westfalen të Gjermanisë. Policia u bën thirrje qytetarëve që, nëse e shohin, të telefonojnë menjëherë numrin emergjent të Policisë.
Për 37-vjeçarin Erandi Cano nga Shqipëria është lëshuar një urdhërarrest, nën dyshimin për tentim vrasje. Sipas autoriteteve, ai prezantohet rregullisht me identitetin Marco Lombardi, duke pretenduar se është nga Italia.
“Ai posedon një dokument identifikimi të falsifikuar italian me këto të dhëna”, ka konfirmuar një zëdhënës i Policisë.
Sulmi në kafene
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 3 qershor, rreth orës 20:35, në ish-kafenenë “Café 67”, në rrugën Wilhelmstrasse 40/42, në qytetin Hamm.
Sipas dëshmive të dhëna nga dëshmitarët gjatë verës, një burrë tullac, i ulur në tavolinën ngjitur, kishte nisur një përleshje me njërin nga dy vëllezërit. Më pas, në vendin e ngjarjes kishte ardhur edhe një person tjetër, i cili kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të tyre, sipas Prokurorisë.
Dy vëllezërit, 33 dhe 36 vjeç, me prejardhje shqiptare, kishin pësuar plagë nga armët e zjarrit, prerje dhe therje me mjet të mprehtë.
Të dy arritën të largoheshin nga kafeneja. Njëri prej tyre shkoi vetë në spital, ndërsa vëllai tjetër u dërgua në një klinikë nga një dëshmitare e rastit.
Fillimisht, gjendja shëndetësore e të dyve ishte kritike dhe ata ndodheshin në rrezik për jetën. Hetimet për rastin i mori përsipër njësia hetimore e vrasjeve, e emërtuar “MK Six Seven”.
I dyshuari mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm
Deri më tani, motivi i sulmit mbetet i paqartë. Dy viktimat kanë deklaruar se ishin sulmuar papritur nga dy persona.
Ndërkohë, njëri nga të dyshuarit tashmë është identifikuar nga autoritetet dhe ndaj tij është lëshuar urdhërarrest.
Policia ka paralajmëruar qytetarët që të mos tentojnë ta kontaktojnë apo t’i afrohen të dyshuarit, pasi ai mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm.
Personat që kanë informacione për vendndodhjen e tij aktuale mund të kontaktojnë Policinë në numrin 0231/132-7441.
Në rast se e shohin të dyshuarin, qytetarët duhet të telefonojnë menjëherë numrin emergjent 110.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





