Kosova rrezikon të mos arrijë t’i përmbushë reformat e nevojshme dhe të humbë mundësinë për të tërhequr rreth 130 milionë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor deri në fund të këtij viti, ka vlerësuar ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Gërxhaliu ka thënë se krahas miratimit të buxhetit për vitin 2027, vendit i duhet stabilitet politik dhe bashkëpunim ndërmjet pozitës dhe opozitës, në mënyrë që të përmbushen kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
Gërxhaliu ka rikujtuar se Kosova tashmë ka humbur rreth 43 milionë euro nga ky mekanizëm, duke paralajmëruar se përçarjet politike mund ta vështirësojnë përmbushjen e obligimeve brenda afatit të mbetur.
“Kosova ka nevojë që deri në fund të vitit të bëjë hapa të shumtë në normalizimin e aktualitetit politik në Kosovë. E para, tani që kemi funksionalitet të institucioneve, është shtetrore nga fakti që pothuajse të gjitha pozitat që janë zgjedhur janë të plotësuara. E dyta, na presin obligime të shumta, në radhë të parë për miratimin e ligjit të buxhetit për vitin 2027. Dhe ajo që është më interesante, të plotësohen kriteret e parapara që Kosova duhet t’i plotësojë në qoftë se nuk dëshiron t’i humbë edhe një shumë të mjeteve të dedikuara për Kosovën nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Gërxhaliu.
Sipas Gërxhaliut, ndër reformat që duhet të realizohen në një periudhë të shkurtër janë miratimi i ligjeve për energjinë, falimentimin, të drejtën tregtare, prokurimin publik, partneritetin publiko-privat dhe kontrollin e ndihmave shtetërore.
“Kosova duhet të plotësojë reforma të shumta sa i përket aspektit të plotësimit të këtyre kritereve për të qenë pjesë e barabartë në absorbimin e këtyre mjeteve. Njëra ndër sfidat më të mëdha është pakoja e ligjeve që duhet të realizohet në një periudhë shumë të shkurtër kohore. E para ka të bëjë me ligjin për energjinë, e dyta ka të bëjë me ligjin për falimentimin, ka të bëjë me pakon për të drejtën tregtare, ka të bëjë me ligjin për prokurim public, mungon ligji për partneritet publiko-privat, ligji për avancimin dhe kontrollin e ndihmave shtetërore”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur edhe strategjinë kundër krimit të organizuar, reformën në administratën publike, tranzicionin e gjelbër dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor, si fusha ku Kosova duhet të shënojë përparim deri në fund të vitit.
“Por sfida më e madhe definitivisht duhet të jetë ajo që quhet sui generis, apo është një bonus për Kosovën që duhet të lidhet me normalizimin e raporteve me Serbinë përmes dialogut të cilin e ndërmjetëson apo e ndihmon Bashkimi Evropian”, ka shtuar ish-kreu i OEK-ut.
Gërxhaliu ka theksuar se përmbushja e këtyre obligimeve kërkon stabilitet politik dhe partneritet ndërmjet partive, duke kërkuar që ekonomia të jetë prioritet i institucioneve.
“Definitivisht prioriteti të jetë ekonomia, e jo orientimi social siç ka ndodhur në të kaluarën, sepse orientimi në politika sociale në tërë Kosovën e barazon varfërinë, e devijon nga rruga për zhvillim, dhe në këtë kohë të inflacionit nuk i bëhet nder Kosovës që baza kryesore e rritjes së buxhetit apo qëndrueshmërisë ekonomike të jetë importi, konsumi dhe remitancat nga diaspora”, ka thënë ai. /EO




