Pas tre ditësh plot dinamizëm dhe aktivitete intensive, është përmbyllur sot me sukses gara prestigjioze ndërkombëtare “European Defense Tech Hackathon”, e cila për herë të parë u organizua në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, duke theksuar se kjo ngjarje u mbajt nën patronatin e Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkëorganizim me Innovation Centre Kosovo (ICK) dhe European Defense Tech Hub (EDTH).
Në fjalën e tij në ceremoninë përmbyllëse, ministri Maqedonci përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët për punën e palodhshme dhe idetë inovative të shpalosura gjatë këtyre tri ditëve.
“Në ceremoninë përmbyllëse pata kënaqësinë t’i falënderoj të gjitha ekipet pjesëmarrëse dhe organizatorët për punën dhe angazhimin e tyre gjatë këtyre tri ditëve”, ka deklaruar ai.
Në fund të garës u ndanë edhe çmimet kryesore për tri ekipet më të mira, mirëpo ministri vlerësoi lart secilin pjesëmarrës, duke vënë në pah kapacitetin e të rinjve kosovarë dhe ndërkombëtarë për të sjellë zgjidhje moderne në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Në fund, ndamë edhe çmimet për tre ekipet fituese, por për mua secili ekip që mori pjesë ishte fitues. Ishte kënaqësi të shihja nga afër idetë dhe zgjidhjet që u prezantuan, si dhe potencialin që kanë të rinjtë për të kontribuar në zhvillimin e teknologjisë në fushën e mbrojtjes”, ka përfunduar Maqedonci.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





