Teksa vala globale po kthehet kundër tij, statusi i presidentit amerikan – si president pa mundësi rizgjedhjeje – mund t’i përkeqësojë ende tensionet e vjetra dhe të ndezë shpërthime të reja.

Burimi: The Guardian (titulli: Donald Trump’s power is on the wane. What next for Russia, Israel – and the rest of us?)
Përkthimi: Telegrafi.com
Ishte fitore edhe për botën. Njerëzit e shumë vendeve të cilët gjatë dy viteve të fundit kaotike e plot frikë pësuan dhimbje, humbje dhe poshtërime mizore nga Donald Trumpi, festuan një çast të lavdishëm të shpengimit të përbashkët. Përbindëshi, ashtu si shumë të tjerë të llojit të tij, ende rri i strukur në strofkën e tij të praruar në Shtëpinë e Bardhë; autoritarizmi i së djathtës ekstreme ende hedh hije të errët mbi shumë kombe. Por, fuqia e këtij presidenti më shkatërrimtar është thyer, magjia e tij e ligë është prishur. Britma triumfuese e votuesve amerikanë në zgjedhjet e ndërmjetme ishte thirrje mobilizuese e sfidës demokratike e cila, duke i bërë jehonë Revolucionit Amerikan të 250 vjetëve më parë, ushtoi në mbarë globin.
Për iranianët, poshtërimi elektoral i Trumpit ngjalli shpresa, ndoshta të pabaza, se lufta e tij vrastare kundër regjimit shtypës të Teheranit mund të marrë fund së shpejti. Në Izrael, shumë nga shumica që votoi për ndryshim javën e kaluar do ta mirëpresin përuljen e mbështetësit kryesor të koalicionit ekstremist të Benjamin Netanyahut ende të pamposhtur. Ukrainasit shprehën optimizëm se një Kongres i kontrolluar nga demokratët do ta frenojë politikën e neveritshme të lëshimeve ndaj Rusisë së Vladimir Putinit. Në Evropë, fillimi i fundit të epokës së Trumpit solli një ndjenjë lehtësimi – dhe shpresën se marrëdhëniet toksike transatlantike mund të pastrohen nga helmi MAGA.
Është e qartë se Trumpi tani është më i dobët ndërkombëtarisht, po aq sa edhe brenda vendit. Pavarësisht mohimeve të tij dhe përpjekjeve të përçmueshme për t’ua hedhur fajin të tjerëve, sukseset gjithëpërfshirëse të demokratëve përbënin refuzim të pagabueshëm personal ndaj tij. Për miqtë dhe aleatët e huaj, ashtu si për shumë amerikanë, mjegulla e kërcënimit, aura e pathyeshmërisë që kishte rrethuar Trumpin që nga viti 2024, më në fund është shpërndarë. Në një akt egoizmi vetëndëshkues që shpërfilli shifrat e miratimit ndaj tij, ai u kërkoi votuesve të bënin sikur ishte vetë në fletën e votimit. Ata ia plotësuan dëshirën në numër të madh – dhe, duke vepruar si përfaqësues të demokratëve në mbarë botën, ia treguan gishtin e mesit.
Statusi i dobësuar i Trumpit si president pa mundësi rizgjedhjeje dhe frustrimi se nuk është më në qendër të vëmendjes, mund t’i përkeqësojnë tensionet e vjetra dhe të ndezin shpërthime të reja. Me gjithë fjalët e tij për arritjen e marrëveshjeve, ai rrallë bën kompromis. Kur pengohet, zemërohet, ngul këmbë edhe më fort dhe sulmon. Kjo është arsyeja pse festimet iraniane mund të dalin të parakohshme. I nxitur nga Netanyahu (për aq kohë sa ky do të jetë në pushtet), Trumpi si komandant i përgjithshëm mund t’u kundërvihet ende republikanëve të zbutur nga humbja, si zëvendëspresidenti JD Vance, dhe ta rifillojë e zgjerojë luftën – jo më pak edhe për t’u hakmarrë për rritjen e çmimeve të naftës në Lindjen e Mesme, të orkestruar nga Teherani, që ia largoi kaq shumë votues.
Zgjidhja e ngërçit bërthamor me Iranin, që zgjat prej dekadash, është çështje kyçe e trashëgimisë politike për Trumpin, i cili është gjithnjë e më i fiksuar pas vendit të tij në histori. Një tjetër çështje e trashëgimisë është Rusia. Ai ka shkuar deri në nivele të turpshme për ta shpërblyer kriminelin e luftës Putin dhe për ta ndëshkuar Ukrainën pse u pushtua. Trumpi e sheh konfliktin si pengesë për normalizimin e marrëdhënieve me Moskën dhe për marrëveshje fitimprurëse dypalëshe në energji, investime dhe tregti. Ai kapet pas një ideje të paqartë për të realizuar një “Nikson të përmbysur” – të miqësohet me Rusinë për ta vënë Kinën në disavantazh strategjik. Do të donte edhe Çmimin Nobel për Paqen. Por, përfundimi i luftës për hir të njerëzve të rrethuar të Ukrainës nuk është motivimi i Trumpit. Atij i interesojnë pak mijëra civilët e vrarë, të gjymtuar ose të traumatizuar nga bombat ruse.
Paradoksalisht, dobësia e Trumpit mund ta përshpejtojë armëpushimin. Putini, i goditur nga dështimet në fushën e betejës dhe nga problemet ekonomike që po thellohen, e di se shansi i tij më i mirë për një rezultat që do t’ia shpëtonte fytyrën është të arrijë marrëveshje për sa kohë që Trumpi mbetet në detyrë. Pikërisht këtu qëndron rreziku i madh për Ukrainën dhe aleatët e saj. Negociatorët amatorë të Trumpit mund ta dyfishojnë trysninë për lëshime territoriale dhe të tjera nga Kievi, duke shpërfillur të drejtat e tij sovrane dhe sigurinë më të gjerë të Evropës. Për ta detyruar Kievin të kapitullonte sipas kushteve të tij, Trumpi mund ta shtojë edhe më shumë pezullimin e armëve dhe të mbështetjes së inteligjencës, si dhe refuzimin për të ofruar garanci të besueshme sigurie – dhe në djall pasojat dhe precedenti.
Trumpi ka një hapësirë shumë të gjerë për ta drejtuar politikën e mbrojtjes dhe të jashtme të ShBA-së në mënyrë të pavarur nga Kongresi. Por, pasi demokratët të marrin kontrollin e të dyja dhomave në janar, ai dhe zyrtarët e lartë me siguri do të përballen me shqyrtim intensiv për veprimet e Ekzekutivit, buxhetet dhe akuzat për korrupsion e shpërdorim të pushtetit. Një nga viktimat e para politike mund të jetë nuselala e tij e përkëdhelur, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth (ndonëse me gjasë do t’i shpëtojë ekzekutimit publik). Nëse Trumpi shkarkohet sërish, siç kërkojnë disa demokratë, do të ketë më pak kohë të shqetësohet për trashëgiminë e tij ndërkombëtare.
Shumica e politikave të ShBA-së nuk do të ndryshojnë ndjeshëm nga tani deri në vitin 2028. Çdo qeveri e re izraelite ka gjasa të vazhdojë t’ua mohojë palestinezëve të drejtat themelore në Gazë dhe Bregun Perëndimor, me pak a shumë mbështetjen e Uashingtonit. Trumpi mund t’i zbusë marrëdhëniet me Evropën dhe Kanadanë duke i ulur tensionet e luftërave tarifore. Ose, mund t’i zbatojë kërcënimet e mëparshme për ta braktisur NATO-n dhe mbrojtjen e përbashkët të Evropës – për të, një tjetër çështje e shtrembëruar e “trashëgimisë”. Ekziston rreziku që ai t’ia imponojë Kubës një ndryshim regjimi të stilit venezuelian. Ndërkohë, një autokrat shumë më i zgjuar, Xi Jinpingu i Kinës, do të vazhdojë ta manovrojë lehtësisht. Marrëveshjet urgjentisht të nevojshme për ta ndalur përhapjen e armëve bërthamore nuk duken askund; po ashtu, nuk duket as fundi i mohimit nga Shtëpia e Bardhë për emergjencën klimatike. Nga ana tjetër, demokratët, sapo të kontrollojnë financat, mund dhe duhet të veprojnë shpejt për ta rivendosur plotësisht buxhetin e ndihmës jashtë vendit.
Në këtë çast joshës e të pasigurt të një shpengimi global, a mund ta shpengojë Trumpi veten? Do të ishte mirë të mendohej se, i goditur nga një votë e qartë kombëtare mosbesimi dhe nga një rikonfirmim i fuqishëm popullor i demokracisë amerikane, ai do të shlyejë mëkatet e veta. Nuk është aq e vështirë, Donald. Merre këshillën e reperit Ice T, i cili tha: “Shpengimi thjesht do të thotë që bën ndryshim në jetën tënde dhe përpiqesh të bësh atë që është e drejtë, në vend të asaj që bëje më parë që ishte e gabuar”. Megjithatë, metamorfoza e tillë kaq vonë është e pamundur. Në moshën 80-vjeçare, i ngulitur në zakonet e veta, pa mësuar asgjë, pa dëgjuar kurrë, duke rrëshqitur drejt senilitetit, vulgar e banal dhe duke u kapur pas paragjykimeve të vjetruara si pas një batanijeje ngushëlluese, Trumpi, “rosa e zemëruar”, ka shkuar tepër larg për të ndryshuar.
Përpara duken edhe dy vite të tejkalimit të kompetencave presidenciale, ndërhyrjes në punët e vendeve të tjera, pozimit egoist në politikën e jashtme, përplasjeve ekonomike dhe aventurizmit ushtarak jashtë vendit. Megjithatë, rryma po kthehet kundër tij. Fitoret elektorale progresiste në Hungari, Serbi, Brazil dhe tani në ShBA i kanë dhënë energji dhe freski të re demokracisë globale. Më pas vjen Spanja, pastaj Franca në vitin 2027. Humbjet e tjera historike për populistët e së djathtës ekstreme dhe ultranacionalistët, të cilët besonin se Trumpi dhe MAGA ishin të pathyeshëm, tani janë një mundësi e lavdishme. Gjithçka ka të bëjë me mposhtjen e Trumpit. /Tlegrafi/




