Ylli portugez e ka bërë të ditur vendimin përmes një mesazhi emocional të publikuar në rrjetet sociale, ku ka konfirmuar se ka ardhur koha për t’ia lënë vendin gjeneratës së re dhe për t’ia dorëzuar dikujt tjetër fanellën ikonike me numrin shtatë.
Ronaldo debutoi me fanellën e Portugalisë në gusht të vitit 2003, ndërsa gjatë 23 viteve u shndërrua në një prej figurave më të mëdha të historisë së kombëtares.

Ai mban rekordin si golashënuesi më i mirë në historinë e Portugalisë, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme, të shoqëruar me rekorde, trofe dhe momente të paharrueshme.
Në mesazhin e tij të gjatë lamtumirës, 41-vjeçari ka kujtuar rrugëtimin që nisi kur ishte vetëm një fëmijë, sakrificat, emocionet dhe krenarinë që ndjeu sa herë përfaqësoi vendin e tij.
Ai ka theksuar se fanella e Portugalisë nuk ishte asnjëherë vetëm e tij, por simbol i miliona njerëzve që e kanë mbështetur ndër vite.
“Ka ardhur dita për ta kthyer fanellën me numrin shtatë të Kombëtares, që i përket të gjithë neve. Nuk e kam ndier kurrë se ajo ishte vetëm imja, por për 23 vjet pata privilegjin dhe përgjegjësinë ta vishja, ta mbroja dhe ta merrja me vete në stadiumet e mbarë botës. Sot ka ardhur momenti për t’ia dorëzuar të ardhmes”, ka shkruar Ronaldo.
Ai ka falënderuar bashkëlojtarët, trajnerët, stafin teknik, familjen dhe tifozët portugezë, duke theksuar se largimi nga Kombëtarja nuk do të thotë shkëputje nga dashuria për vendin e tij.
“Largohem me kokën lart, krenar për rrugën që kam bërë dhe me bindjen se i kam dhënë gjithçka që kisha Portugalisë. Por nuk do të pushoj kurrë së qeni njëri prej jush. Do të vazhdoj të vuaj, të emocionohem dhe të festoj çdo fitore të Portugalisë së bashku me ju”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Në fund, Ronaldo ka theksuar se privilegji më i madh i karrierës së tij ishte përfaqësimi i Portugalisë.
“Faleminderit për këto 23 vjet. Faleminderit që besuat tek unë. Fanella me numrin shtatë mbetet. Krenaria që e kam veshur do të jetë imja përgjithmonë. Portugalia do të jetë gjithmonë brenda meje”, ka përfunduar mesazhin e tij Ronaldo.
Burimi: RTKLive




