Foda: Duam ta mposhtim Izraelin, objektivi ynë është Liga B

Foda: Duam ta mposhtim Izraelin, objektivi ynë është Liga B

Foda: Duam ta mposhtim Izraelin, objektivi ynë është Liga B

Foda ka theksuar se objektivi kryesor i Kosovës që nga fillimi i këtij edicioni ka qenë qëndrimi në Ligën B të Ligës së Kombeve, ndërsa fitorja ndaj Izraelit konsiderohet me rëndësi të veçantë për arritjen e këtij synimi.

“Synimi ynë është gjithmonë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, por objektivi që nga fillimi ka qenë që në çdo rrethanë të mbetemi në Ligën B. Prandaj, ndeshja kundër Izraelit ka rëndësi shumë të madhe për ne dhe duam patjetër ta fitojmë. Më pas do të shohim nëse do të kemi mundësi ta përfundojmë grupin në vendin e parë apo të dytë”, deklaroi Foda.

Sponsor 3M Express

Trajneri gjerman ka shpjeguar edhe arsyet e përfshirjes së futbollistëve të rinj në listën e fundit, duke theksuar se kjo periudhë shërben edhe për të vlerësuar potencialin e tyre në funksion të së ardhmes së Kombëtares.

“Edhe në këtë edicion të Ligës së Kombeve kemi mundësinë të ftojmë lojtarë të rinj dhe të krijojmë një pasqyrë më të qartë për cilësitë e tyre brenda Kombëtares. Në të njëjtën kohë, po përgatitemi në mënyrë indirekte edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian të vitit të ardhshëm”, u shpreh ai.

Foda ka bërë të ditur se stafi i tij përcjell vazhdimisht futbollistët, pavarësisht kampionatit apo ligës ku ata aktivizohen. Ai ka theksuar se është shpesh i pranishëm në Kosovë për të ndjekur nga afër ndeshjet e Superligës.

“Është gjithmonë e rëndësishme që një Kombëtare të mendojë edhe për të ardhmen, t’u japë mundësi lojtarëve të rinj të prezantohen dhe të tregojnë vlerat e tyre. Ne i përcjellim të gjithë futbollistët, pavarësisht se në cilën ligë luajnë. Jam shpesh në Kosovë dhe i ndjek ndeshjet e kampionatit, por udhëtoj edhe në vendet e tjera ku aktivizohen futbollistët tanë. Gjithashtu, përcjellim vazhdimisht talentet e reja që luajnë jashtë vendit. Detyra jonë është të kemi një Kombëtare konkurruese në të tashmen, por edhe të shikojmë përpara, duke i dhënë ekipit energji të re”, theksoi përzgjedhësi.

Duke folur për futbollin vendor, Foda ka vlerësuar garën në Superligën e Kosovës, duke veçuar tri skuadrat që aktualisht po luftojnë në pjesën e sipërme të tabelës.

“Superligën e Kosovës e përcjell shumë shpesh. Jam vazhdimisht këtu, i njoh skuadrat dhe kam kontakte edhe me disa prej presidentëve të klubeve. Për mua nuk ka rëndësi nëse një futbollist luan në Kosovë, Gjermani, Spanjë apo Itali. Ajo që ka rëndësi është paraqitja e tij në fushë. Këtë sezon kemi një kampionat mjaft interesant. Malisheva, Prishtina dhe Drita janë aktualisht tri skuadrat që po spikasin. Çdo futbollist që paraqitet mirë dhe tregon vazhdimësi në performancat e tij, e ka mundësinë të marrë një ftesë nga Kombëtarja”, deklaroi Foda.

Në fund, përzgjedhësi foli edhe për kriteret që kanë përcaktuar përzgjedhjen e futbollistëve për dy ndeshjet e nëntorit, duke nënvizuar se forma aktuale është një faktor i rëndësishëm, por jo i vetmi.

Ai mori si shembull Milot Rashicën, i cili së fundmi nuk ka pasur shumë minuta te Besiktas, por sipas tij ka dëshmuar se mund t’i japë energji dhe cilësi Kombëtares kur aktivizohet.

“Për Kombëtaren ka rëndësi se cilët lojtarë janë aktualisht në formë dhe në gjendje të mirë fizike. Megjithatë, duhet t’i shohim gjërat në një kontekst më të gjerë. Për shembull, Milot Rashica po luan pak te Besiktasi, por në ndeshjet e fundit me Kombëtaren, si ndaj Austrisë ashtu edhe ndaj Izraelit, kur u inkuadrua nga banka rezervë, tregoi se mund t’i japë skuadrës energji të re. Gjatë muajve të fundit kemi analizuar paraqitjet në katër ndeshjet e fundit ndërkombëtare, por kemi ndjekur edhe shumë futbollistë të tjerë dhe kemi shikuar një numër të madh ndeshjesh. Pas këtij procesi, kemi vendosur me bindjen e plotë se lojtarët e ftuar e meritojnë besimin tonë. Ata janë futbollistët që aktualisht përshtaten më së miri me filozofinë dhe idenë tonë të lojës”, përfundoi Foda.

Kosova në muajin nëntor do të përballet me Izraelin më 14 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa tri ditë më vonë do të luajë në udhëtim ndaj Irlandës, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Burimi: RTKLive

Lexo edhe

LDK kërkon seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit të BE-së

LDK kërkon seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit të BE-së

​A do të lirohen sërish derivatet e naftës, flet kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve

​A do të lirohen sërish derivatet e naftës, flet kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve

Mbi 1 miliard euro për blerjen e rrymës, Tahiri kërkon hetim parlamentar

Mbi 1 miliard euro për blerjen e rrymës, Tahiri kërkon hetim parlamentar