Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka mohuar akuzat se ish-kryeministri Zoran Zaev vazhdon të ndikojë në vendimmarrjen dhe drejtimin e partisë përmes tij.

“Jam profesor i neurokirurgjisë, askush nuk mund të më kontrollojë. Partinë e udhëheq në mënyrë autentike dhe legjitime, pa ndikimin e askujt”, deklaroi Filipçe në emisionin „Studio e Natës“ në 4TV.
Ai theksoi se Zaev nuk është më aktiv në politikë dhe se vendimet në LSDM merren në mënyrë të pavarur, duke u bazuar edhe në propozimet e strukturave partiake.
Filipçe paralajmëroi se nuk do të lejojë përçarje të mëtejshme të partisë, ndërsa akuzoi OBRM-PDUKM-në se i konvenon një opozitë e dobësuar.
Ai tha se synimi i tij është që LSDM të fitojë zgjedhjet e ardhshme dhe të formojë një qeveri proevropiane.




