Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk pritet të jetë në agjendën e afërt të Bashkimit Evropian, pavarësisht mesazheve të vazhdueshme të Brukselit për vazhdimin e procesit.
Në emisionin FIVE, Fetoshi ka folur edhe për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe kërkesën e kryeministrit Albin Kurti nga Franca për rikthimin e njohjes reciproke në qendër të dialogut.

Ai ka thënë se pas agresionit rus në Ukrainë, Perëndimi ka ndjekur një qasje tjetër ndaj Serbisë, me synimin për ta larguar atë nga orbita e ndikimit rus. Megjithatë, sipas tij, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rikthyer korniza e njohjes reciproke si përfundim i procesit të dialogut, që përbën edhe qëndrimin zyrtar të Prishtinës.
Fetoshi ka theksuar se Kurti e ka përsëritur këtë kërkesë edhe sot para të dërguarit të Bashkimit Evropian, duke insistuar që dialogu të përmbyllet me njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve.
“Mirëpo rikthimi, mendoj që është me pikëpyetje, për shkak se aktualisht Evropa është në vlimet më të mëdha të mundshme sa i përket implikimeve gjeopolitike të luftës në Ukrainë. Dhe sa i përket relacioneve strategjike të Evropës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të arkitekturës së sigurisë. Dhe mbi këtë bazë mendoj që po. Nga pikëpamja e zotit Sorensen, dialogu është agjenda e ardhshme normale, në kuptimin që tashmë konsolidimi institucional i Kosovës e mundëson një gjë të tillë, mirëpo në Serbi nuk e mundëson një gjë të tillë. Ajo që e shohim pas zgjedhjeve parlamentare atje, për shkak se pas fitores së listës studentore ende nuk kemi institucione të konsoliduara në Serbi. E para dhe e dyta, natyrisht fatin e dialogut do ta përcaktojë gjithashtu edhe qëndrimi i pushtetit të ri pas përfundimit të sundimit të gjatë të Aleksandar Vuçiqit atje”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se rifillimi i dialogut në një të ardhme të afërt mbetet i pasigurt, pasi Kosova tashmë ka konsoliduar institucionet, ndërsa Serbia ende nuk e ka përfunduar këtë proces pas zhvillimeve zgjedhore.
“Dhe mbi këtë bazë mendoj që dialogu nuk është agjenda shumë e afërt që na pret në ditët në vazhdim, pavarësisht që Brukseli zyrtar do të vazhdojë të dërgojë mesazhe për vazhdimin e dialogut, e cila është rruga që do duhej ta mundësonte normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar ai.
Sipas Fetoshit, vëmendja kryesore e Bashkimit Evropian në periudhën e ardhshme do të jetë te Beogradi dhe formimi i qeverisë së re, veçanërisht për shkak të qëndrimeve të ndryshme brenda listës studentore lidhur me politikën e jashtme të Serbisë, raportet me Kosovën, sanksionet ndaj Rusisë dhe integrimin evropian.
Ai ka thënë se qëndrimi i pushtetit të ri në Serbi, pas përfundimit të sundimit të gjatë të Aleksandar Vuçiqit, do të jetë një nga faktorët që do të përcaktojnë të ardhmen e dialogut dhe të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Burimi: Dukagjini





