Fernandes, Vinicius e Dembele, Arabia Saudite planifikon ‘sulmin’ e madh në vitin 2027

Fernandes, Vinicius e Dembele, Arabia Saudite planifikon ‘sulmin’ e madh në vitin 2027

Fernandes, Vinicius e Dembele, Arabia Saudite planifikon ‘sulmin’ e madh në vitin 2027

Liga Profesionale e Arabisë Saudite mund të përgatitet për një tjetër ofensivë të madhe në tregun evropian të transferimeve në vitin 2027, me Cristiano Ronaldon dhe klubin e tij Al Nassr në qendër të planeve të mundshme për ndryshimin e rregullave të futbollistëve të huaj.

Sponsor 3M Express

Ronaldo ishte figura kryesore e valës së parë të investimeve të mëdha saudite, pasi u transferua te Al Nassr në fund të vitit 2022, pas largimit nga Manchester United. Në verën pasuese, klubet saudite shpenzuan kolektivisht mbi një miliard dollarë për transferimin e emrave të mëdhenj si Neymar, Ruben Neves dhe Riyad Mahrez.

Megjithatë, ky mbetet kulmi i investimeve të ligës saudite. Në sezonin e kaluar, shpenzimet e përgjithshme për transferime ranë në rreth 545 milionë dollarë. Madje, Ronaldo thuhet se ishte i pakënaqur me mungesën e përforcimeve të rëndësishme te Al Nassr gjatë afatit kalimtar të janarit.

Tani, një ndryshim i mundshëm në rregulloren për futbollistët e huaj mund të rikthejë investimet e mëdha.

Aktualisht, klubet e Ligës Saudite lejohen të kenë tetë futbollistë të huaj në listën prej 25 lojtarësh, si dhe dy talente të tjerë nën moshën 21-vjeçare.

Sipas gazetës The Times, është duke u shqyrtuar mundësia që kuota e futbollistëve të huaj të rritet deri në 14, ndërsa një vendim pritet të merret para hapjes së afatit kalimtar të janarit.

Edhe pse një ndryshim i tillë arsyetohet brenda vendit si mënyrë për të zhvilluar talentet vendore, në kuadër të përgatitjeve për Kupën e Botës 2034, raportimi sugjeron se kjo mund të hapë rrugën për një tjetër valë të madhe transferimesh nga Evropa.

Bruno Fernandes, objektivi kryesor i mundshëm

Në mesin e emrave që mund të jenë në shënjestër të klubeve saudite është kapiteni i Manchester Unitedit, Bruno Fernandes.

Portugezi përfaqëson një prej objektivave më të mëdhenj të Ligës Saudite, pasi gjatë tri verave të fundit ka marrë oferta shumë të majme nga klubet e këtij vendi, por ka vendosur të qëndrojë në Old Trafford.

Fernandes ka pranuar publikisht se ka refuzuar të paktën një ofertë për vazhdimin e kontratës me Manchester Unitedin, duke theksuar se prioritet për të mbetet suksesi sportiv.

Nëse Manchester United nuk bindet për ta lejuar largimin e kapitenit të tij, një tjetër mundësi për klubet saudite mund të jetë mbrojtësi Lisandro Martinez.

Argjentinasi, i cili ka kritikuar publikisht departamentin e rekrutimit të klubit, është në vitin e fundit të kontratës, ndërsa afati kalimtar i janarit mund të përfaqësojë mundësinë e fundit për Unitedin që të përfitojë financiarisht nga shitja e tij.

Yjet e tjerë që mund të përfundojnë në Arabinë Saudite

Përveç transferimeve me shuma të mëdha, klubet saudite kanë realizuar edhe disa marrëveshje me futbollistë si lojtarë të lirë, duke u ofruar paga jashtëzakonisht të larta.

Në këtë kategori mund të përfshihen Virgil van Dijk dhe Alisson Becker, dy futbollistët e Liverpoolit, kontratat e të cilëve përfundojnë verën e ardhshme.

Të njëjtën mundësi mund ta kenë edhe Brahim Diaz i Real Madridit, Marcos Llorente i Atletico Madridit dhe mesfushori i Interit, Hakan Calhanoglu, kontratat e të cilëve gjithashtu po shkojnë drejt përfundimit.

Një tjetër emër i madh është Vinicius Junior. Braziliani ka qenë prej kohësh në radarët e klubeve saudite, por së fundmi ka vazhduar kontratën me Real Madridin, duke e bërë më të vështirë një transferim të mundshëm.

Megjithatë, interesimi nga Arabia Saudite nuk është shuar, ndërsa edhe Arsenali raportohet se ka rifilluar interesimin për sulmuesin brazilian.

Një tjetër objektiv potencial është fituesi i Topit të Artë, Ousmane Dembele, i cili aktualisht luan te Paris Saint-Germaini.

Sulmuesi francez mund të jetë një prej emrave më të mëdhenj që Liga Saudite do të synonte për ta kthyer në figurën kryesore të projektit të saj, ngjashëm me atë që ishte Cristiano Ronaldo në vitin 2023.

Bisedimet për vazhdimin e kontratës së Dembele nuk kanë përfunduar ende, ndërsa marrëveshja e tij aktuale skadon pas rreth një viti e gjysmë.

Nëse ndryshimet e propozuara në rregulloren për futbollistët e huaj miratohen, klubet saudite mund të kenë më shumë hapësirë për të ndërtuar skuadra me yje nga kampionatet më të mëdha evropiane, duke paralajmëruar një tjetër verë të bujshme në tregun e transferimeve./Telegrafi/

Lexo edhe

Ryshfeti që i çoi në burg zyrtarët e MPB-së dhe punonjësit e poligoneve

Ryshfeti që i çoi në burg zyrtarët e MPB-së dhe punonjësit e poligoneve

Mbi 99 për qind e Gazës është e ndotur, territori po kthehet në një vend toksik

Mbi 99 për qind e Gazës është e ndotur, territori po kthehet në një vend toksik

Galatasaray e fiton derbin ndaj Aston Villas

Galatasaray e fiton derbin ndaj Aston Villas