Ekipet emergjente të Komunës së Deçanit kanë intervenuar gjatë gjithë natës pas erërave të forta që përfshinë këtë komunë, ndërsa puna për sanimin e dëmeve po vazhdon edhe gjatë ditës së sotme.

Përmes një reagimi në Facebook, Komuna e Deçanit ka bërë të ditur se në terren janë ekipet e Ndërmarrjes Publike Lokale “Higjiena” dhe Njësisë së Zjarrfikësve.
Ndërkaq, komuna po mbështet edhe ekipet e KEDS-it në intervenimet për sanimin e shtyllave elektrike të dëmtuara në disa vendbanime.
“Komuna e Deçanit po mbështet edhe ekipet e KEDS-it në intervenimet për sanimin e shtyllave elektrike të dëmtuara në Voksh, Drenoc, Gllogjan, Shaptej, Strellc, Gramaçel dhe vendbanime të tjera ku paraqitet nevoja”, thuhet në reagim.
Komuna ka bërë të ditur se të gjitha ekipet janë në koordinim të vazhdueshëm për të reaguar sa më shpejt dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Në të njëjtën kohë, u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe shmangie të zonave ku mund të paraqitet rrezik nga pemët apo shtyllat elektrike të dëmtuara.
“Komuna e Deçanit mbetet në terren dhe në shërbim të qytetarëve!”, thuhet në reagim. /Telegrafi/





