Pas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) për erëra të forta gjatë ditës së nesërme, Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje punëdhënësve që të marrin masa shtesë për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve në vendet e punës.

Vëmendje e veçantë, sipas Inspektoratit, duhet t’i kushtohet sektorit të ndërtimtarisë dhe të gjitha veprimtarive që zhvillohen në ambiente të hapura. Kjo vlen veçanërisht për punët në lartësi, në skela, kulme dhe hapësira të ekspozuara ndaj ndikimit të erërave.
Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje punëdhënësve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të mos lejojnë zhvillimin e aktiviteteve të punës në rastet kur kushtet atmosferike paraqesin rrezik për punëtorët.
“Siguria dhe shëndeti i punëtorëve duhet të mbeten prioritet në çdo rrethanë”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.
Burimi: Insajderi





