Emaile kërcënuese të dërguara në mijëra shkolla në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë dhe Itali trajtohen si alarme të rreme

Emaile kërcënuese të dërguara në mijëra shkolla në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë dhe Itali trajtohen si alarme të rreme

Emaile kërcënuese të dërguara në mijëra shkolla në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë dhe Itali trajtohen si alarme të rreme

Emaile kërcënuese të dërguara në mijëra shkolla në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë dhe Itali po trajtohen si alarme të rreme.

Sponsor 3M Express

Më shumë se 300 shkolla në Irlandën Veriore raportuan se kanë marrë të njëjtin mesazh me email, i cili përmbante një kërcënim.

Emaile të ngjashme morën edhe 470 shkolla në Skoci, ndërsa në Itali mesazhet mbërritën në 6,300 shkolla, duke çuar në evakuimin e qindra prej tyre.

Policia në Republikën e Irlandës deklaroi se ishte në dijeni për një “komunikim të përgjithshëm” që u ishte dërguar disa “institucioneve arsimore”, por që u vlerësua si “jo i besueshëm”.

Edhe Shërbimi Policor i Irlandës Veriore (PSNI) njoftoi se po e trajton emailin – i cili kishte origjinë nga jashtë vendit – si një alarm të rremë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ndihmës-shefi i policisë, Anthony McNally, u shpreh: “Ne i trajtojmë incidentet e kësaj natyre me shumë seriozitet dhe e kuptojmë shqetësimin në komunitet, në mjediset shkollore, si dhe te nxënësit e prindërit”.

“Hetimet tona janë duke vazhduar. Megjithatë, në këtë fazë, e konsiderojmë të ulët rrezikun për publikun”.

Policia e Skocisë bëri të ditur se mesazhet janë vlerësuar dhe po trajtohen si alarme të rreme.

Një zëdhënës i policisë tha: “E kuptojmë se sa shqetësuese mund të jenë mesazhet e kësaj natyre për nxënësit, prindërit, kujdestarët dhe stafin shkollor, si dhe shqetësimin që ato mund të shkaktojnë, gjë që është plotësisht e kuptueshme”.

“Këshilla jonë është se nuk ka nevojë për evakuimin e shkollave apo për t’i mbajtur fëmijët larg mësimit, bazuar vetëm në përmbajtjen e këtyre emaileve”.

Kjo ndodh në një kohë kur të paktën 300 shkolla në Itali u evakuuan të mërkurën, pasi morën një njoftim për bombë.

Ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara, deklaroi për kanalin televiziv “La7” se këto njoftime dyshohet të jenë alarme të rreme.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shkroi më vonë në rrjetet sociale se kërcënimet nuk përbëjnë rrezik, duke shtuar se policia dhe institucionet e tjera publike po e monitorojnë situatën.

Meloni njoftoi se do të drejtojë një mbledhje të qeverisë për të shqyrtuar ngjarjet dhe për të koordinuar veprimet e mëtejshme.

Në gjimnazin “Mamiani” në Romë, nxënësit dolën në rrugë, pasi e ngatërruan alarmin me zilen e pushimit.

Ata morën vesh për kërcënimin me bombë vetëm pasi dolën jashtë.

Studentja Anita Bartocci, 18 vjeçe, tha se i ishte thënë që kishte mbërritur një email nga “hakerë, në të cilin thuhej se ata do t’i kishin vrarë të gjithë”.

“Ishte mjaft e ashpër”, shtoi ajo.

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, u shpreh se kërcënimet e dërguara me email kishin për qëllim “mbjelljen e terrorit ose krijimin e shqetësimit”.

“Është tepër e lehtë. Secili prej nesh mund të përdorë mjetet dhe instrumentet e disponueshme për të dërguar një email në një shkollë, një kopsht fëmijësh apo një kompani ajrore, duke pretenduar se ka një bombë”, u tha ai gazetarëve të mërkurën.

Autoritetet nuk i kanë lidhur kërcënimet me ndonjë grup apo shtet të caktuar dhe nuk ka dalë asnjë provë që t’i lidhë këto alarme të rreme me ndonjë qeveri.

Muajin e kaluar, disa shkolla në Irlandën e Veriut dhe në Skoci u mbyllën pas kërcënimeve të rreme me bombë.

Autoriteti i Arsimit (EA) në Irlandën e Veriut bëri të ditur se mesazhi i dërguar në shkollat e tij kishte “ngjashmëri” me kërcënimin e rremë të muajit të kaluar.

EA njoftoi se është në kontakt me policinë, duke shtuar: “Në këtë fazë, nuk jemi vënë në dijeni për ndonjë provë që të tregojë për një kërcënim real ndaj shkollave”.

“Hetimet vazhdojnë. I takon Shërbimit Policor të Irlandës së Veriut (PSNI) të përcaktojë nëse një mesazh i tillë është i besueshëm apo jo”.

EA u kërkoi shkollave të qëndrojnë vigjilente dhe të raportojnë çdo veprimtari të dyshimtë pranë PSNI-së.

Policia e Skocisë njoftoi se njësia e saj për krimet kibernetike dhe mashtrimet po kryen hetime të gjera për të zbuluar burimin e mesazheve, ndërsa oficerët vazhdojnë të bashkëpunojnë me agjencitë e tjera ligjzbatuese në Mbretërinë e Bashkuar dhe ndërkombëtarisht.

Në një deklaratë, policia u shpreh lidhur me këto email-e: “Ato janë dërguar gjerësisht në lista shpërndarjeje në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut; sipas vlerësimit tonë, ato nuk përbëjnë një kërcënim real”. /Telegrafi/

Lexo edhe

“A e din kush jemi na?” – Bashkëpunëtori i Zyrës së Avokaturës “Klinaku” Besar Krasniqi dyshohet se sulmoi me shuplakë avokatin Egzon Qovanaj në Prizren

“A e din kush jemi na?” – Bashkëpunëtori i Zyrës së Avokaturës “Klinaku” Besar Krasniqi dyshohet se sulmoi me shuplakë avokatin Egzon Qovanaj në Prizren

MINTI shton kontrollet ndaj pikave të karburanteve, nafta bie në 1.79 euro për litër

MINTI shton kontrollet ndaj pikave të karburanteve, nafta bie në 1.79 euro për litër

Alarme të rreme për bomba në shkollat e Italisë, Britanisë dhe Irlandës

Alarme të rreme për bomba në shkollat e Italisë, Britanisë dhe Irlandës