Barcelona dhe Real Madridi përballen sonte në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit në La Liga, me garën për titullin në qendër të vëmendjes.

Katalunasit kanë gjashtë pikë më shumë se rivali madrilen dhe fitorja do t’i çonte në nëntë pikë largësi.
Një avantazh i tillë do ta vendoste Barcelonën në pozitë shumë të favorshme dhe do t’i afronte ndjeshëm me titullin e kampionit.
Megjithatë, Real Madridi ka mundësinë ta ndryshojë situatën. Një fitore në El Clasico do ta ngushtonte diferencën në vetëm tri pikë, duke e rihapur plotësisht garën dhe duke shtuar presionin mbi Barcelonën në vazhdim të kampionatit.
Rivaliteti mes dy gjigantëve spanjollë është i jashtëzakonshëm edhe në aspektin historik. Në të gjitha përballjet zyrtare, Barcelona dhe Real Madridi kanë nga 106 fitore, ndërsa 52 ndeshje kanë përfunduar në barazim.
Në La Liga, madrilenët kanë një epërsi të lehtë, me 80 fitore kundrejt 77 të Barcelonës, ndërsa 35 përballje janë mbyllur pa fitues.
Lionel Messi mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e El Clasicos me 26 gola, përpara Cristiano Ronaldos dhe Alfredo Di Stéfanos, të cilët kanë shënuar nga 18 herë.
Sonte, Barcelona kërkon ta forcojë rrugën drejt titullit, ndërsa Real Madridi synon t’i japë një kthesë garës për kampionatin spanjoll.
Këtë mega-ndeshje mund ta ndiqni ekskluzivisht ne ArtMotion nga ora 21.00.




