Jakup Hasani hoqi katër plumbat që kishte marrë në trup.

Jakup Hasani, i cili u plagos gjatë ditës së sotme më 23 nëntor në një atentat në Fier, ka përfunduar ndërhyrjen kirurgjikale në Spitalin e Fierit.
Sipas Tv Klan, Hasanit i janë hequr të katër plumbat që kishte marrë në trup.
Pas operacionit, Jakup Hasani është dërguar në repartin e reanimacionit, ku do të mbahet nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor. I plagosuri ndodhet nën masa të rrepta sigurie.
Në atentatin e kësaj të hëne, u vra me armë zjarri Selami Hasani, vetëm pak ditë pasi kishte dalë nga burgu. Bashkë me të u plagos edhe nipi i tij, pikërisht Jakup Hasani.
Dyshohet se shkak për vrasjen e Selami Hasanit, i njohur ndryshe si Sel Çami alias Seli i malit, të jetë bërë hasmëria me Arben Isufajn, i njohur ndryshe si Ben Qimja, një person me precedentë të theksuar penal.
Policia e Fierit është vënë në ndjekje të autorëve, ndërsa një automjet i djegur është gjetur në fshatin Dermenas, i dyshuar se u përket vrasësve.
Viktima ishte dënuar për vrasjen e Julian Isufajt, nipi i Ben Qimes, ngjarje e ndodhur më 25 mars 2002 pranë “Sheshit të Valutës” në Fier. Dyshohet se hasmëria mes familjeve Isufaj dhe Hasani të ketë nisur vite më përpara.
Selami Hasani u arrestua pas 7 vitesh në kërkim në banesën e tij ku iu gjetën dhe iu sekuestruan dy pistoleta. Pas rreth 11 vitesh të vuajtura nga dënimi prej 25 vitesh, ai u lirua me leje fillimisht në vitin 2022, ndërsa e kreu plotësisht dënimin këtë nëntor, kur dhe u la i lirë.
Kush është “Ben Qimja” dhe hasmëria me Selami Hasanin
Gjithçka nisi pas vrasjes së babait të tij, Enver Isufajt në vitin 1994. Kur “Ben Qimja” ishte ende vetëm 19-vjeçar, ai u përfshi në një përplasje me Pirro Koçiun dhe dy kushërinjtë e këtij të fundit, mbiemri i të cilëve ishte Yzeiraj. Këto të fundit konsideroheshin njerëz të afërt të Selami Hasanit.
Pikërisht për të ulur gjakrat e këtij konflikti, ndërhyri edhe babai i “Ben Qimes”, Enver Isufaj, i cili u vra pak më vonë në një bilardo, në zonën e Sheqit të Fierit. Në vrasjen e Isufajt, kishin marrë pjesë Pëllumb Yzeiraj dhe Vladimir Hasani, ky i fundit është vëllai i Sel “Çamit”, personit të vrarë ditën e sotme në Fier.
Kjo ngjarje ndryshoi edhe jetën e “Ben Qimes”, duke u kthyer në nja nga emrat më të spikatur në botën e krimit në Fier, e jo vetëm. Disa vite pas vrasjes së babait të tij Enver Isufaj, në vitin 2002 një tjetër ngjarje tronditi “Ben Qimen”.
Selami Hasani i vrau me armë zjarri nipin Julian Isufaj, i cili udhëtonte me një makinë tip “Fuoristradë”. Në makinë me nipin e “Ben Qimes”, ndodheshin edhe Esat Taze, i cili mbeti i vdekur, ndërsa u plagosën dy persona të tjerë, Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj. Pas kësaj vrasje, “telenovela” e krimit nuk mori fund këtu, teksa më 12 gusht të vitit 2002, mbeti i vrarë në oborrin e një pallati në Tiranë, Pirro Koçiu, personi me të cilin “Ben Qimja” pati edhe konfliktin e parë, që çoi në vrasjen e babait të tij, Enver Isufajt.
Asokohe, dosja u hetua, por pa rezultat, duke detyruar prokurorët që dosja të arkivohej pa autor. Por më vonë, gjurmët e gishtërinjve “tradhtuan” Ben Qimen, pasi ato iu gjetën në një pistoletë “Zastava”, e cila dyshohet se i përkiste pikërisht “të fortit të Fierit”. Kështu, hetimi u rihap dhe Ben Qimja përfundoi pas hekurave si i dyshuar. Aktualisht Arben Isufaj është i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Beratit.
Policia ka ngritur postblloqe në hyrje të qytetit të Vlorës për verifikimin e automjeteve dhe personave që hyjnë në qytet për lidhje të mundshme me ngjarjen në Fier, si dhe për kapjen e autorëve./Tv Klan





