Tre persona të arrestuar, një i katërt që nuk u gjet gjatë bastisjeve dhe dhjetëra pajisje elektronike të sekuestruara. Operacioni ndërkombëtar kundër mashtrimeve përmes Call Center-ave, për të cilin Gazeta Sinjali raportoi që në orët e para, ka nxjerrë në dritë hollësi të reja. Hetimi përfshin katër persona, të cilët dyshohen për përfshirje në një skemë mashtrimi që kishte në shënjestër qytetarë në Gjermani, përmes platformave të rreme të investimeve.

Gazeta Sinjali ka siguruar identitetin e të katër personave të përfshirë në këtë hetim, si dhe hollësi të reja për rezultatet e operacionit të zhvilluar më 3 nëntor në Kosovë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se tre personat e arrestuar janë Milot Preteni 32 vjeçar , Ilir Haziri 37 vjeçar dhe Flamur Ziberi 32 vjeçar.
Ndërkaq, Agron Selaci 37 vjeçar është personi i katërt i dyshuar, i cili nuk është gjetur gjatë kontrolleve në banesë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ekzistojnë dyshime se Selaci jeton përkohësisht në Suedi. Megjithatë, vendndodhja e tij nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Mashtrimi i dyshuar me investime që daton nga vitet 2019–2020
Hetimet lidhen me një veprimtari të dyshuar kriminale të viteve 2019 dhe 2020, kur personat e përfshirë dyshohet se vepronin si pjesë e një grupi me shtrirje në disa shtete të Evropës.
Në shënjestër të skemës dyshohet se ishin qytetarë në Gjermani, të cilët kontaktoheshin përmes Call Center-ave dhe josheşhin të investonin para në platforma fiktive.
Këto platforma paraqiteshin si mundësi për investime financiare, ndërsa hetuesit dyshojnë se përmes tyre qytetarëve u merreshin para me premtime të rreme.
Hetimi në Kosovë ka nisur në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, pas kërkesës së autoriteteve gjermane për ndihmë juridike.
Katër vetura, 24 kompjuterë dhe pajisje të tjera të sekuestruara
Aksioni i 3 nëntorit është realizuar nga hetuesit e krimeve ekonomike, të mbështetur nga njësitë për hetimin e krimeve kibernetike, kriminalistika dhe njësi të tjera të specializuara.
Bastisjet janë zhvilluar në pesë lokacione në rajonet e Prishtinës dhe Ferizajt, në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Gazeta Sinjali ka siguruar edhe hollësi për sendet e sekuestruara gjatë operacionit.
Bëhet fjalë për katër vetura në pronësi të të dyshuarve, katër telefona celularë, dy laptopë, 24 njësi kompjuterike dhe dy pajisje DVR.
Pajisjet elektronike pritet t’u nënshtrohen ekzaminimeve për të identifikuar të dhëna që mund të ndihmojnë në zbardhjen e veprimtarisë së dyshuar, komunikimeve dhe lidhjeve ndërmjet personave të përfshirë.
Hetues gjermanë dhe Europoli pjesë e operacionit
Operacioni ka pasur edhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë ndërkombëtare.
Tre zyrtarë policorë dhe një prokuror nga Gjermania, së bashku me dy zyrtarë të Europolit, kanë marrë pjesë në operacionin e zhvilluar në Kosovë.
Prania e tyre lidhet me hetimin e përbashkët për veprimtarinë e dyshuar kriminale, që sipas informacioneve të siguruara ka pasur shtrirje në disa shtete evropiane.
Pas arrestimit, Milot Preteni, Ilir Haziri dhe Flamur Ziberi janë intervistuar dhe janë ndaluar për 48 orë, me vendim të Prokurorisë së Shtetit.
Të dyshuarit po hetohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Mashtrimi” dhe “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”.
Ndërkohë, personi i katërt, Agron Selaci, nuk është hasur gjatë kontrolleve dhe mbetet pjesë e hetimit.
Operacioni ka përfunduar me tre të arrestuar në Kosovë, por hetimet vazhdojnë për të zbardhur përmasat e plota të skemës së dyshuar, rolin e secilit person dhe destinacionin e parave që dyshohet se janë përfituar përmes mashtrimeve.
Të gjithë personat e përfshirë në hetim gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




