Një përleshje fizike në lokalin “Dry Bar” në Gjakovë ka eskaluar edhe pas mbërritjes së Policisë. Një 30-vjeçar dyshohet se kishte sulmuar një zyrtar policor gjatë intervenimit, ndërsa pas arrestimit, alkooltesti i kishte rezultuar me 2.38 promilë alkool, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se personi i arrestuar është Granit Berisha, rreth 30 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së shtunës, më 28 nëntor, rreth orës 00:20, në rrugën “Wesley Clark” në Gjakovë.
Patrullat policore kishin intervenuar pas pranimit të informatës se në lokalin “Dry Bar” po zhvillohej një përleshje fizike.
Mirëpo, gjatë kryerjes së procedurave policore, situata kishte eskaluar, pasi Berisha dyshohet se kishte sulmuar njërin nga zyrtarët policorë, duke e shtyrë me të dyja duart në gjoks.
Zyrtarët e tjerë policorë kishin reaguar menjëherë, duke arrestuar 30-vjeçarin dhe duke e shoqëruar në stacion policor.
Pas arrestimit, Berisha i është nënshtruar alkooltestit, i cili ka rezultuar me 2.38 promilë alkool.
Për incidentin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit ndaj Granit Berishës është iniciuar rast penal për veprën “Sulmi ndaj personit zyrtar”, ndërsa ai është ndaluar për 48 orë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





