Një informatë për përgatitjen e një vrasjeje në Prishtinë ka vënë në lëvizje hetuesit e Policisë së Kosovës, të cilët gjatë operacionit kanë zbuluar një pistoletë me shurdhues, kanë sekuestruar një veturë dhe kanë bastisur shtëpitë e katër personave të dyshuar, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se cak i dyshuar i planit për vrasje ishte Vigan Bekqeli, rreth 36-vjeçar.
Në këtë rast po hetohen katër persona: Evatar Ajvazi, Bekim Rexhepi, Gëzim Begu dhe Fidaim Hoti.
Sipas informacioneve të Sinjalit, rasti nisi mbrëmjen e së premtes, më 27 nëntor, rreth orës 22:15, kur hetuesit policorë pranuan informacione se disa persona dyshohej se po përgatitnin vrasjen e Bekqelit.
Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme nisën veprimet operative dhe hetimore, duke identifikuar personin që dyshohej se ishte cak i këtij plani.
Gjatë hetimeve, Policia identifikoi dhe sekuestroi një automjet që dyshohej se kishte lidhje me rastin. Në të, ekspertët e kriminalistikës zbuluan një pistoletë me shurdhues dhe pesë fishekë.
Më pas, hetuesit identifikuan katër të dyshuarit dhe realizuan bastisje në shtëpitë dhe objektet e tyre përcjellëse.
Gjatë operacionit u arrestua Evatar Ajvazi, rreth 38-vjeçar. Në shtëpinë e tij u gjet dhe u sekuestrua edhe një pistoletë tjetër, së bashku me shtatë fishekë.
Ndërkaq, tre të dyshuarit e tjerë, Bekim Rexhepi, rreth 51-vjeçar, Gëzim Begu, rreth 29-vjeçar dhe Fidaim Hoti, rreth 46-vjeçar, nuk u gjetën gjatë bastisjeve dhe aktualisht janë në kërkim policor.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Evatar Ajvazi është ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet nën dyshimet për veprat penale “Përgatitja e veprës penale të vrasjes së rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura motivet e dyshuara të planit, ndërsa roli konkret i secilit prej katër personave mbetet objekt i hetimeve.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





