Një shtetas turk është sulmuar në mes të rrugës në Prizren, është futur me forcë në një veturë dhe është dërguar në Prishtinë, ku dyshohet se është mbajtur për 12 orë kundër vullnetit të tij. Gjithçka lidhet me punimet ndërtimore në një objekt banesor, nga të cilat viktima ka deklaruar se është detyruar të heqë dorë. Pesë bashkëkombës të tij janë identifikuar si të dyshuar, ndërsa katër prej tyre kanë përfunduar në ndalim policor, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor, rreth orës 07:25, në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, ku Sener Buyruk (44) ishte duke lëvizur në këmbë kur është sulmuar nga disa persona që, sipas deklarimit të tij, i njihte.
Sulmuesit dyshohet se fillimisht e kanë goditur në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime, e më pas e kanë futur me forcë në një automjet Volkswagen me ngjyrë të bardhë.
Nga Prizreni, 44-vjeçari është transportuar drejt Prishtinës, ku është dërguar në një shtëpi private dhe është mbajtur kundër vullnetit të tij për rreth 12 orë.
Gjatë kësaj kohe, sipas dëshmisë së viktimës, ndaj tij është ushtruar presion për t’u tërhequr nga punimet ndërtimore që po realizonte në një objekt banesor në Prizren. Pas rreth 12 orësh, ai është liruar.
Megjithëse ngjarja kishte ndodhur më 1 nëntor, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren kanë siguruar informacionet e para konkrete dy ditë më vonë, më 3 nëntor, kur përmes kanaleve operative kanë pranuar një video-incizim që dokumentonte sulmin.
Në pamjet e siguruara shiheshin pesë persona duke sulmuar një burrë në rrugë, por në atë fazë hetuesit ende nuk e kishin identifikuar viktimën. Kjo ka bërë që veprimet e para hetimore të përqendroheshin në përcaktimin e identitetit dhe gjetjen e tij.
Më 4 nëntor, Policia ka arritur ta identifikojë 44-vjeçarin, i cili gjatë intervistimit ka rrëfyer se personat që e kishin sulmuar ishin shtetas turq dhe të njohur për të. Deklarata e tij, së bashku me video-incizimin, ka shërbyer si bazë për vazhdimin e hetimeve dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Hetuesit kanë vazhduar punën për lokalizimin e tyre, derisa njëri prej të dyshuarve është ndaluar nga një patrullë e Njësisë së Trafikut Rajonal në Prishtinë.
Pas marrjes në dorëzim të tij, Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren ka vazhduar kërkimet për personat e tjerë të dyshuar, duke arritur t’i lokalizojë ata dhe të identifikojë edhe automjetin që dyshohet se është përdorur gjatë sulmit dhe transportimit të viktimës.
Vetura është sekuestruar përkohësisht me urdhër të Prokurorisë.
Zbulohen identitetet e pesë të dyshuarve
Sipas informacioneve që ka siguruar ekskluzivisht Sinjali, personat e identifikuar në këtë rast janë Mustafa Danyildiz (47), Özdemir Riza (41), Dogan Mehmet Guven (43), Kahya Süleyman (40) dhe Perçem Mohmet, mosha e të cilit nuk është konfirmuar.
Nga pesë personat e identifikuar, katër janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë, ndërsa statusi procedural i personit të pestë nuk është përcaktuar në informacionet e siguruara.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Shtrëngimi”, “Privimi i kundërligjshëm nga liria” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, ndërsa hetimet po zhvillohen nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren.
Shënim. I akuzuari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




