Një operacion për arrestimin e një personi të kërkuar nga drejtësia në Vushtrri ka përfunduar me një zbulim të pazakontë. Zyrtarët policorë dyshonin se ai ndodhej brenda shtëpisë, por askush nuk ua hapte derën. Në vendngjarje u angazhuan njësi shtesë policore dhe u kërkua edhe asistenca e zjarrfikësve. Situata mori tjetër rrjedhë kur mbërriti babai i të kërkuarit dhe hapi derën, duke u mundësuar policëve të hynin brenda. Gjatë kontrollit, të birin e gjetën të fshehur në tavanin e shtëpisë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur të premten, më 6 nëntor 2026, rreth orës 10:30, në fshatin Nadakovc të Vushtrrisë.
Personi i arrestuar është Arion Isufi, ndaj të cilit Gjykata Themelore në Mitrovicë, Dega në Vushtrri, kishte lëshuar urdhëresa për ekzekutimin e dënimeve me burgim.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, zyrtarët policorë kishin shkuar në shtëpinë e Isufit për të realizuar urdhëresat gjyqësore, por ai nuk u ishte përgjigjur thirrjeve dhe nuk e kishte hapur derën.
Duke dyshuar se personi i kërkuar ndodhej brenda, Policia kishte kërkuar përforcime, duke angazhuar edhe shefin e operativës, një njësi reaguese dhe pjesëtarë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë.
Për shkak të situatës ishte kërkuar edhe asistenca e zjarrfikësve.
Mirëpo, ndërkohë në vendngjarje kishte mbërritur babai i Isufit, i cili kishte hapur derën e shtëpisë.
Në praninë e tij, policët kishin nisur kontrollin e objektit.
Gjatë kontrollit, pjesëtarët e Njësisë së Reagimit të Shpejtë dhe zyrtarët policorë të Stacionit të Vushtrrisë e gjetën Arion Isufin të fshehur në tavanin e shtëpisë, ku edhe e arrestuan.
Pas arrestimit, Isufi është marrë në përcjellje nga njësitë policore për ekzekutimin e dënimeve me burgim.
E presin 480 ditë burgim
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ndaj Isufit ishin lëshuar urdhëresa gjyqësore që përfshijnë tri dënime: një prej 50 ditësh burgim, një prej 12 muajsh dhe një tjetër prej 65 ditësh.
Sipas informacioneve të siguruara, kohëzgjatja e përgjithshme e dënimeve për ekzekutim është raportuar të jetë 480 ditë burgim.
Pas arrestimit, Isufi është dërguar në institucionin përkatës korrektues për vuajtjen e dënimeve.
Ende nuk janë bërë të ditura veprat penale për të cilat janë shqiptuar këto dënime.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




