E vërteta për iluminatët dhe komplotin e tyre për “Rendin e Ri Botëror”

E vërteta për iluminatët dhe komplotin e tyre për “Rendin e Ri Botëror”

E vërteta për iluminatët dhe komplotin e tyre për “Rendin e Ri Botëror”

Nga rebelët jakobinë te njerëzit-hardhucë, një histori e shkëlqyer e elitës më famëkeqe sekrete në botë shpjegon pse realiteti rrallë përputhet me mitin.

Sponsor 3M Express

Nga: Brendan Gillott / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Iluminatët u mblodhën për herë të parë më 1 maj 1776. Në qytetin bavarez Ingolshtat, një akademik i pakënaqur që kishte emrin Adam Weishaupt, po përpiqej të dobësonte kontrollin e jezuitëve konservatorë mbi universitetin e tij. Për këtë qëllim, ai mblodhi një grusht studentësh për të themeluar Illuminatenorden, ose “Urdhrin e Iluminatëve”. Ata do të ishin sekt hierarkik, një forcë për përparimin e ideve të Iluminizmit dhe të vlerave liberale.

Shoqëritë sekrete ishin shumë në modë në Evropën e asaj kohe. Masonët e Lirë [Freemasonry] dhe rozikrucianët po lulëzonin. Grupet e tilla ishin krahu i fshehtë i Iluminizmit, një dukuri të cilën sot e lidhim me triumfin e arsyes, të lirisë dhe hapjes së shoqërisë.

“Sekrete” sepse ndonëse shumë nga synimet politike të iluminatëve bavarezë mund të na duken sot standarde – Weishaupti donte të çonte para “Përsosmërinë e njeriut” përmes politikave laike dhe nuk e duronte censurën dhe kufizimet ndaj tregtisë së librave – veprimtaritë e tilla ishin në thelb subversive në Bavarinë e shekullit XVIII, ku froni dhe altari ende e kishin fjalën e fundit.

Akademiku i pakënaqur Adam Weishaupt mblodhi një grusht studentësh për të themeluar “Urdhrin e Iluminatëve” në vitin 1776(Getty Images/Sepia Times/Universal Images Group)

Iluminatët ishin, në fakt, një organizatë revolucionare. E, megjithatë, siç vëren Michael Taylor në historinë e tij të re, Iluminatët [Illuminati], këta anëtarë të hershëm ishin “pak më shumë se një klub i fshehtë librash”. Ata qarkullonin lista leximi – të vështira për t’u kuptuar – dhe bënin shënime në esetë e njëri-tjetrit. Ishin më shumë qesharakë sesa ogurzinj.

Megjithatë, në kulmin e tyre kishin agjentë në mbarë Gjermaninë. Madje, u përpoqën të merrnin nën kontroll masonët e lirë, gjë që çoi në skena të çuditshme në një qendër termale pranë Frankfurtit në vitin 1782 – ku do të mblidhej një kongres i madh i masonëve të lirë evropianë dhe iluminatët planifikonin të krijonin trazira. Fatkeqësisht, tubimi i masonëve u mbajt në kulmin e sezonit turistik: nuk kishte vende të mjaftueshme akomodimi për delegatët dhe as vende private ku të mblidheshin. Prandaj, debatet gjoja “sekrete” u zhvilluan në vende publike – për habinë dhe zbavitjen e pushuesve – ndërsa agjenti kryesor i iluminatëve u bë qesharak duke debatuar për teologjinë me këdo që pranonte ta dëgjonte.

Shumica e planeve të iluminatëve përfunduan në këtë lloj rrëmuje. Disa anëtarë përfundimisht do të arrinin në pozita pushteti dhe ndikimi, duke qenë në gjendje të zbatonin aspekte të programit të Urdhrit – si toleranca fetare dhe reforma arsimore. Por, në përgjithësi, nuk arritën askund.

Problemi për njerëzit e Weishauptit, shkruan Taylori, ishte se ata në të vërtetë nuk zotëronin ndonjë të vërtetë okulte apo – siç mund të dëgjoni të thuhet sot për iluminatët – ndonjë “gjë që ata nuk duan që ju ta dini”, kushdo qofshin “ata”. Iluminatët ishin organizatë çuditërisht bosh idealet e së cilës ishin mjaft banale jashtë disa konteksteve konservatore – dhe sigurisht për njerëzit të cilët jetonin në shtetet më liberale të Gjermanisë veriore. Kur Weishaupti u zbulua dhe u dëbua në vitin 1784, iluminatët bavarezë u zhdukën nga realiteti i politikës dhe u shkrinë në mit.

Megjithatë, siç rrëfen pjesa tjetër e Iluminatëve, kjo periudhë e shkurtër e historisë u përfytyrua sërish dhe, në fund, u shtrembërua pothuajse përtej njohjes.

Impulsi fillestar për ngritjen e teorisë së konspiracionit për iluminatët, siç e njohim sot – iluzioni këmbëngulës se bota po drejtohet, sundohet dhe ndoshta po shkatërrohet nga një grup i fshehtë dhe ogurzi komplotistësh – ishte Revolucioni Francez. Në vitet 1790, një prift francez në mërgim i quajtur Augustin Barruel, dhe një fizikan skocez i quajtur John Robison, shkruan veçmas histori të Revolucionit dhe të dy ata ua atribuonin sekteve të fshehta të iluministëve – që kishin mbijetuar – nxitjen e rebelimit. “Iluminatizmi”, gjëmoi Robisoni, “është teoria e jakobinizmit”. Ishte marrëzi, por lexuesit në botën anglishtfolëse e përpinë me kënaqësi.

Megjithëse “teoria e konspiracionit për Revolucionin Francez” u hodh poshtë nga komentues më të kujdesshëm, vetë ideja nuk u zhduk kurrë. “Shkalla e ndryshimeve që solli Revolucioni”, shkruan Taylori, “ishte e tillë saqë mënyrat tradicionale të shpjegimit dukeshin krejtësisht të pamjaftueshme”. Dhe, siç vëren ai, kishte vërtet komplote në lojë. Familja mbretërore franceze kishte komplotuar realisht me ushtritë austriake për ta sabotuar Revolucionin; akuzat për komplot, të paktën disa prej tyre të vërteta, ishin në qendër të zhvillimeve të Terrorit. Revolucionet janë, nga natyra e tyre, konspirative.

Dhe, në vitet që pasuan, pëshpëritjet për iluminatët do të merrnin jetë më vete. Irlandezët e Bashkuar, Partia Federaliste amerikane, bolshevikët – të gjithë e kishin pirë pijen iluministe – ose, të paktën kështu, dikush, diku, do të ishte i etshëm për të pohuar. Kështu, iluminatët u bënë ajo që Taylori e quan “Teoria e Konspiracionit për Gjithçka”.

Në një parashikim të zymtë, deri në shekullin XX teoria për iluminatët ishte ndërthurur me fanatizmin antisemit. Ajo depërtoi në neofashizëm dhe në skajet më ekstreme të politikës perëndimore. Për shembull, në rrëfimin e Taylorit, diçka e ngjashme – me një mendësi konspirative për iluminatët – ishte thelbësore për shfaqjen e një të djathte të re amerikane në fund të viteve ’50 të shekullit XX: kjo e fundit solli në jetë grupe si Shoqata e Xhon Bërçit [John Birch Society], me orientim radikalisht të djathtë, si dhe një president që aktualisht po shemb krahë të Shtëpisë së Bardhë. Tashmë të kuptuar jo më si një grup i çrregullt studiuesish dhe aristokratësh gjermanë, iluminatët përmendeshin si një grup njerëzish të brendshëm, i përbërë prej “komunistëve”, “liberalëve” dhe ajo bête noire e pavdekshme, “Establishmenti”.

Në vend që të përfytyroheshin si përpjekje për ta përmbysur rendin e vendosur, iluminatët tani përfytyroheshin si vetë ai rend, ndërsa revolucionarët e vërtetë si patriotët që po luftonin kundër tij. Taylori e gjurmon fillimin e konspiracionizmit bashkëkohor, për iluminatët, deri në ditët e fundit të Luftës së Ftohtë, kur triumfuesi George HW Bush shpalli një “rend të ri botëror” në fjalimin e tij për Gjendjen e Unionit në vitin 1991. Shumë njerëz e mirëpritën fundin e një përplasjeje gjeopolitike që kishte kërcënuar ta shkatërronte jetën në Tokë për gati pesë dekada; por, për disa teoricienë të konspiracionit, fjalimi i Bushit paralajmëronte diçka edhe më të keqe.

Për shembull: për tele-evangjelistin amerikan dhe ish-kandidatin republikan për president, Pat Robertson, i ashtuquajturi Rendi i Ri Botëror ishte ogur i errët në një profeci biblike, një e keqe që do të sillte një qeveri të vetme botërore dhe zhdukjen e fesë. Lidhjen e saktë të iluminatëve me gjithë këtë Robertsoni e kishte të vështirë ta përcaktonte, por ishte i sigurt se ata ishin të përfshirë.

Ish-kandidati republikan për president, Pat Robertson(AP Photo/Steve Helber)

Versione më të vona të kësaj prirjeje janë parë tek Alex Jones dhe te amerikanët “dyshues për vendlindjen” [birthers] të cilët pohonin se Barack Obama ishte infiltrues kenian, si dhe te David Icke i cili beson se familja mbretërore është një lloj hardhuce jashtëtokësore. Të gjitha këto dhe të tjera, siç rrëfen Taylori, i mbështetën pak a shumë broçkullat e tyre te modeli i iluminatëve.

Iluminatët, shkruan Taylori, përbëjnë “një teori konspiracioni pothuajse arketipe”. Në një kuptim themelor, kjo teori nuk është krejtësisht e çuditshme. Siç pranon ai, në kohën tonë “ideja se një rrjet i errët ‘elitash’ po drejton rrjedhën e ngjarjeve globale është e përhapur në të gjithë spektrin politik”. Por, historia e tij e rrënjos këtë ide në shekuj të tërë akuzash absurde, të rrëfimeve të dyshimta dhe trillimeve të drejtpërdrejta. Pse, atëherë, është treguar kaq e fuqishme? Pse figura aq të nderuara sa George Washington, Edmund Burke, Benjamin Disraeli dhe Winston Churchill e përqafuan atë në një formë ose në një tjetër?

Së pari, argumenton Taylori, fshehtësia aksiomatike e iluminatëve e bën jashtëzakonisht të vështirë që teoria të hidhet poshtë. “Ata” që kobshëm tërheqin fijet nuk emërtohen kurrë, prandaj nuk do të shfaqen kurrë për ta shfajësuar veten. Teoria mund “të shpjegojë pothuajse gjithçka dhe është e paprekshme nga provat kundërshtuese dhe faktet e papërshtatshme”. Ajo është, në praktikë, e pavdekshme. Problemi rëndohet nga karakteri pa fytyrë dhe ndërkombëtar i iluminatëve. “Kozmopolitizmi” fillestar i iluminatëve bavarezë dhe i jakobinëve pas tyre, i cili ishte mjaft real, shërben si rast studimi për format e hershme të “globalizmit” ideologjik. Në atë kohë, kjo mund të dukej njëherësh e paqartë dhe gjithëpërfshirëse, gjë që pasqyron shumë nga frustrimet që ndien publiku sot.

Komentatori i së djathtës ekstreme, Alex Jones, njihet gjerësisht për përhapjen e teorive të konspiracionit(Getty/Joe Buglewicz)

Së dyti dhe në mënyrë më prozaike: teoritë e konspiracionit janë fitimprurëse. Ato i intrigojnë audiencat dhe garantojnë atë që sot e quajmë “angazhim”. Kjo mund të jetë më e vërtetë sot se kurrë, duke parë atë që transmetohet në radiot komerciale dhe në kanalet e mediave sociale. Edhe libri i Taylorit është, në mënyrën e vet, një shembull i padëmshëm. Ka treg për gjëra të tilla.

Së treti dhe çka është më e rëndësishmja për shekullin XXI, Taylori vë në dukje një “‘çekuilibër’ në rritje mes kërkesës për përgjigje dhe ofertës së informacionit”. Dikur kishte shumë pak informacion; tani ka tepër shumë. Të dyja situatat e pengojnë dëshirën tonë të natyrshme për një rrëfim që ka kuptim. Njerëzit, shkruan ai, shpesh janë “të paaftë ose të pavullnetshëm të pranojnë se, ndonjëherë, ngjarjet janë jashtë kontrollit edhe të akterëve më kompetentë”. Një shpjegim i ngjarjeve që i vendos forcat e errëta në timon mund të jetë, kundër intuitës, një metodë qetësuese.

Konspiracioni, në fund të fundit, është në vetvete një formë historie: një mënyrë për t’u dhënë ngjarjeve strukturë narrative. Deri në njëfarë mase, teoricienët e konspiracionit e bënin punën e historianëve edhe pse, siç vëren Taylori, ishin “krejtësisht gabim”, sepse lejonin që imagjinata e tyre të mbizotëronte mbi faktet e qasshme. Për meritë të tij, Taylori është i vetëdijshëm për këtë prirje. Ai paralajmëron për librin e vet se “të fusësh me zor çdo fakt dhe ngjarje të lidhur [me Iluminatët] në një rrëfim të vetëm dhe universal do t’i afrohej rrezikshëm vetë modelit konspirativ”. Pjesët e fundit të Iluminatëve janë më të shpërndara dhe më pak kohezive se kapitujt e parë për prejardhjen bavareze, por kjo është pasojë e domosdoshme e një gjykimi të mirë historik.

Rrëfimi i Taylorit është i shkëlqyer dhe shpesh befasues. Libri i tij e vendos frymën konspirative të kohës sonë në burimet e saj historike – reale dhe të imagjinuara – me një stil që është herë iluminues, herë shqetësues dhe herë zbavitës. Dhe, nëse Iluminatët, në fund, nuk i zbulojnë misteret që “ata” nuk duan që ju t’i dini, kjo ndodh vetëm sepse “ata” në të vërtetë nuk kanë ditur kurrë ndonjë mister. /Telegrafi/

Lexo edhe

Shiroka-Pula takon Prattipatin, i flet për koordinim, bashkëpunim e avancim të pozitës së Kosovës

Shiroka-Pula takon Prattipatin, i flet për koordinim, bashkëpunim e avancim të pozitës së Kosovës

Shiroka Pula takon Prattipatin, riafirmon përkushtimin për thellimin e partneritetit strategjik me SHBA-në

Shiroka Pula takon Prattipatin, riafirmon përkushtimin për thellimin e partneritetit strategjik me SHBA-në

Protesta masive më 31 tetor, Gen Z letër të hapur Merzit: Mjaft kemi duruar, po na shkatërroni të ardhmen

Protesta masive më 31 tetor, Gen Z letër të hapur Merzit: Mjaft kemi duruar, po na shkatërroni të ardhmen

E vërteta për iluminatët dhe komplotin e tyre për “Rendin e Ri Botëror” | Momenti