Sot do t’i jepet lamtumira e fundit 43-vjeçares Albona Morina nga Klina, e cila ndërroi jetë tragjikisht pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore gjatë një trajtimi mjekësor. Ceremonia e varrimit zhvillohet sot, me fillim nga ora 16:00, në varrezat e lagjes Muhaxheri të fshatit Rixhevë të Klinës.

Ndërkohë, zbardhen detaje të reja lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë. Sipas dëshmisë së dhënë në Polici nga bashkëshorti i të ndjerës, I.M., gjithçka kishte nisur rreth orës 13:00, kur 43-vjeçarja kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë për shkak të një infeksioni në hundë.
Bashkëshorti ka deklaruar se pasi e kishte lënë gruan në kontroll, ishte larguar për të kryer një pagesë, por me t’u kthyer ishte njoftuar se gjendja e saj ishte rënduar ndjeshëm dhe se stafi mjekësor po e niste me urgjencë drejt Spitalit të Përgjithshëm Rajonal në Pejë. Ai po ashtu ka bërë të ditur se e ndjera vuante edhe nga astma.
Nga ana tjetër, QKMF-ja në Klinë ka sqaruar se pacientja kishte pësuar një reaksion të rëndë alergjik menjëherë pas fillimit të infuzionit. Sipas tyre, gjatë pjesës më të madhe të rrugës drejt Pejës asaj i është kryer reanimim kardiopulmonar, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk ka arritur të mbijetojë.
Një pikëpyetje tjetër që po hetohet lidhet me transportin e pacientes. Mësohet se stafi i QKMF-së kishte kërkuar asistencën e Policisë për të hapur rrugën drejt Pejës, pasi autoambulanca nuk i kishte funksionale dritat sinjalizuese emergjente. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, Mirsad Kelmendi, ka konfirmuar se ky aspekt është duke u verifikuar dhe rasti ka kaluar në hetime rajonale.
Me urdhër të Prokurorisë, Policia ka sekuestruar dosjen e trajtimit mjekësor dhe ka intervistuar stafin shëndetësor, ndërsa trupi i pajetë i 43-vjeçares ishte dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, para se t’i dorëzohej familjes për ceremoninë e varrimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





