Një konflikt mes nënës dhe vajzës, pas një seance gjyqësore në Prishtinë, ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe ndalimin e njërës prej tyre. Nëna e kishte kërcënuar vajzën me vrasje në prani të zyrtarëve policorë, mirëpo pas intervistimit të të dyja palëve, Prokuroria ka vendosur që vajza të ndalohet për 48 orë, ndërsa nëna të lirohet në procedurë të rregullt, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, dy të dyshuarat janë A.H., rreth 32 vjeçe dhe nëna e saj, S.H., rreth 56 vjeçe.
Ngjarja ka ndodhur të premten, më 27 nëntor, rreth orës 12:15, në Prishtinë, ku njësitë policore kishin intervenuar pas raportimit për një konflikt familjar.
Gjatë intervistimit, 32-vjeçarja ka deklaruar se atë ditë kishte pasur një seancë gjyqësore me nënën e saj dhe se ishte revoltuar pasi kishte lexuar deklaratat e nënës dhe të vëllait, në të cilat, sipas saj, pretendohej se ajo kishte manipuluar me raste.
Ajo ka pranuar se kishte qarë, bërtitur dhe përdorur fjalë të pakontrolluara, por ka mohuar ta ketë sulmuar fizikisht nënën e saj.
Version tjetër para hetuesve ka dhënë 56-vjeçarja, e cila ka pretenduar se pas përfundimit të seancës gjyqësore, gjatë kthimit me veturë, vajza kishte shfaqur sjellje agresive, duke prekur timonin e automjetit dhe duke i shkulur flokët vetes.
Por, në momentin kur në vendin e ngjarjes kishin mbërritur policët, nëna i ishte drejtuar vajzës me një kërcënim, duke thënë në prani të tyre: “Ja merrni ju, ja unë e vras”.
Për këtë deklaratë, zyrtarët policorë që kishin qenë të pranishëm kanë përpiluar edhe raport të veçantë.
Gjatë intervistimit, 56-vjeçarja e ka pranuar se kishte shqiptuar këto fjalë, duke pretenduar se i kishte thënë nga revolta dhe se vajzës së saj ia dëshironte të mirën.
Ndërkaq, 32-vjeçarja nuk ka paraqitur ankesë ndaj nënës.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është vendosur që vajza të ndalohet për 48 orë, ndërsa nëna, e cila kishte shqiptuar kërcënimin në prani të policëve, është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Dhuna në familje”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





