Një ardhje nga Gjermania për të përfunduar disa punë rreth pronës është mbyllur tragjikisht për një 59-vjeçar në Prizren. Ai ishte kthyer në Kosovë vetëm një javë më parë, por të shtunën pasdite u gjet pa shenja jete në shtëpinë e tij, pasi familjarët nuk po arrinin të kontaktonin me të, mëson Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, bëhet fjalë për Kujtim Arifajn, 59 vjeçar, i cili jetonte dhe punonte në Gjermani, ndërsa në Kosovë kishte ardhur për të rregulluar dokumentacionin lidhur me disa çështje pronësore.
Ngjarja ka ndodhur më 14 nëntor, rreth orës 17:00, në rrugën “Aziz Kelmendi” në Prizren.
Burimet bëjnë të ditur se familjarët ishin shqetësuar pasi nuk po arrinin të lidheshin me 59-vjeçarin.
Nipi i tij, i cili kishte tentuar disa herë ta kontaktonte përmes telefonit, kishte vendosur të shkonte në shtëpinë ku po qëndronte.
Kur kishte hyrë në shtëpi, e kishte gjetur xhaxhain të shtrirë në dysheme, pa shenja jete.
Menjëherë është kërkuar ndihma e Emergjencës, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë policore.
Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e 59-vjeçarit, ndërsa Policia ka marrë deklaratën e familjarit që e kishte gjetur.
Me kërkesë të familjarëve, trupi i pajetë është dërguar për obduksion, me qëllim të sqarimit të shkakut të vdekjes.
Për rastin janë njoftuar edhe hetuesit rajonalë të Policisë në Prizren, të cilët kanë marrë përsipër veprimet e mëtejshme hetimore.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




