Vëllai i Ledion Hamzës, njërit prej tre personave të vrarë në sulmin ndaj autobusit në Gllogjan të Deçanit, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke kërkuar zbardhjen e rastit dhe drejtësi për vëllain e tij.

Brikend Hamzaj ka shkruar se familja e di të vërtetën për vrasjen e Ledionit dhe ka shprehur pakënaqësinë për mungesën e drejtësisë, pesë vjet pas ngjarjes tragjike.
“Ti pusho në paqe, vëllau im. Vallja jote nuk ka mbaruar. Ne, si familje, e dimë shumë mirë se kush ta ndali vallen. E dimë të vërtetën dhe e dimë kush ta mori jetën”, ka shkruar ai.
Në reagimin e tij, Hamzaj ka theksuar se familja e ka respektuar fjalën e dhënë dhe ka pritur deri në përfundimin e procesit gjyqësor, ndërsa tani kërkon që edhe institucionet e shtetit ta përmbushin përgjegjësinë e tyre.
Ai ka kërkuar që e vërteta të dalë në dritë dhe përgjegjësit të marrin dënimin e merituar sipas ligjit.
“Ne, si familje, i kemi dhënë fjalën shtetit të Kosovës se do të presim deri në fund, deri sa të rrahet çekiçi i fundit i drejtësisë. Kemi duruar, kemi pritur dhe kemi respektuar ligjin, edhe pse dhimbja jonë nuk ka pushuar asnjë ditë. Ne fjalën tonë e kemi mbajtur. Tani është radha e shtetit ta mbajë fjalën e vet. Kërkojmë drejtësi”, ka shkruar Hamzaj.
Reagimi i tij vjen pas vendimit të Gjykatës Themelore në Pejë, e cila më 23 tetor të këtij viti shpalli të pafajshëm tre anëtarët e familjes Mehmetaj, Kastriot, Kreshnik dhe Halil, të cilët ishin gjykuar për rreth pesë vjet lidhur me këtë rast.
Vrasja e trefishtë në Gllogjan ndodhi më 26 nëntor 2021, kur një autobus që po udhëtonte në këtë fshat u qëllua me armë zjarri.
Nga të shtënat mbetën të vrarë shoferi Gani Gjokaj dhe dy nxënësit, Ledion Hamzaj e Genta Mustafaj.
Pesë vjet pas kësaj ngjarjeje, familjarët vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e plotë të rastit dhe drejtësi për viktimat.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





