Rifajt i është ndaluar t’i afrohet inspektorit dhe zyrës së tij në Prizren në një distancë më të vogël se 50 metra.

Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar avokatit Ardit Rifaj masën e sigurimit “ndalimi për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar”, pas dyshimeve se ka penguar dhe sulmuar fizikisht një inspektor komunal gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Aktvendimi është nxjerrë më 4 nëntor 2026, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prizren. Rifaj dyshohet për veprën penale “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Çfarë ndodhi në zyrat e Inspektoratit Komunal
Sipas dosjes së gjykatës, ngjarja ka ndodhur më 3 nëntor 2026, rreth orës 08:50, në ambientet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal në Prizren.
Inspektorët e ndërtimit, Dritmir Muji dhe Arian Taraku, kishin kërkuar zbatimin e ligjit dhe vendosjen e shiritave të ndalimit në një objekt ndërtimi, rasti i të cilit është duke u trajtuar nga organet e drejtësisë.
Sipas përshkrimit në dosje, Rifaj ishte i pakënaqur me veprimet e inspektorëve dhe iu drejtua Dritmir Mujit me ton të lartë, duke i thënë:
“A e din ti çfarë avokati jam unë dhe a e din se ti duhet me vepru”.
Situata, sipas gjykatës, është përshkallëzuar kur inspektori është ngritur në këmbë dhe i ka kërkuar Rifajt të largohej nga zyra.
Në atë moment, Rifaj dyshohet se i është vërsulur inspektorit duke i thënë:
“Qëndro ulur këtu, se ti nuk e din kush jam unë dhe çka muj me ba, ka me të qu në burg”.
Më pas, sipas dosjes, ai e ka kapur inspektorin për jakën e xhupit dhe e ka ngritur nga vendi.
Në të njëjtën kohë, dyshohet se e ka fyer rëndë dhe e ka kërcënuar me fjalët:
“Ke me pasë punë me mua gjithë jetën”.
Përpjekjet për ta sulmuar inspektorin, thuhet në dosje, kanë vazhduar edhe në korridorin e objektit, deri në largimin e tij nga ndërtesa.
Masa e sigurisë vlen për një muaj
Duke e aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, gjykata ia ka caktuar Rifajt masën e sigurimit “ndalimi për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar”, për një muaj.
Masa është caktuar për periudhën nga 3 nëntori deri më 3 dhjetor 2026.
Në bazë të këtij vendimi, avokatit i ndalohet t’i afrohet të dëmtuarit Dritmir Muji, si dhe zyrës së tij në Prizren, në distancë më të vogël se 50 metra.
Babai i Rifajt ishte përfshirë në një incident gjatë protestës në Vranishtë
Ardit Rifaj është djali i Lulzim Rifajt, ish-konsullit të Kosovës në Sofje të Bullgarisë.
Emri i këtij të fundit ishte raportuar vite më parë në lidhje me një incident gjatë protestave kundër ndërtimit të një hidrocentrali në Vranishtë të Dragashit.
Gjatë protestës së banorëve kundër ndërtimit të hidrocentralit nga kompania “Eurokos”, ish-diplomati kosovar ishte përfshirë në një përleshje mes protestuesve dhe zyrtarëve të kompanisë.
Në atë kohë, Lulzim Rifaj ishte parë duke mbajtur një mjet të rëndë në duar, në momentin kur situata kishte eskaluar në dhunë.
Në incident ishte përfshirë edhe djali tjetër i tij, vëllai i Ardit Rifajt, i cili në atë kohë mbante pozitën e koordinatorit në kompaninë ndërtuese.
Burimi: Insajderi




