Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet V.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Shpëlarja e parave”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se gjatë periudhës 2009-2019, në Kosovë, ka futur në sistemin bankar dhe ka qarkulluar përmes llogarive të tij personale dhe llogarive të një subjekti afarist shumën prej 542 mijë e 478 euro e 86 centë.
Sipas Prokurorisë Speciale, i dyshuari ishte në dijeni se këto mjete financiare kishin prejardhje nga veprimtaria kriminale e shitjes së paautorizuar të narkotikëve.
Për këtë vepër penale, ai ishte shpallur fajtor me aktgjykim të formës së prerë më 28 maj 2024.
Prokuroria bën të ditur se, me qëllim të fshehjes apo maskimit të prejardhjes kriminale të parave dhe paraqitjes së tyre si mjete me prejardhje të ligjshme, i pandehuri kishte realizuar deponime dhe tërheqje të vazhdueshme të parave të gatshme në disa institucione financiare në Kosovë.
Madje, sipas aktakuzës, janë evidentuar transaksione të përsëritura të tërheqjes dhe rideponimit të parave brenda së njëjtës ditë ose në intervale të shkurtra kohore.
Aktakuza është ngritur më 24 nëntor 2026, ndërsa për rastin pritet të vendosë gjykata kompetente. /Telegrafi/





