Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Fushë Kosovë, ia ka caktuar 30 ditë paraburgim të pandehurit L.Z., i cili dyshohet për ngacmim seksual ndaj një të miture, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit të gjykatës, gjyqtarja e procedurës paraprake e ka miratuar më 24 nëntor kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, pas mbajtjes së seancës dëgjimore.
Gjykata ka vlerësuar se, nëse lihet në liri, L.Z. mund të ndikojë te e mitura, e cila është dëshmitarja kryesore në këtë çështje penale, ose te familja e saj. Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se ekziston mundësia reale që ai të përsërisë veprime të ngjashme ndaj saj.
L.Z. dyshohet për veprën penale “Ngacmimi seksual”, nga neni 183, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Shënim. I pandehuri prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





