Si po arrin Deçani t’i mbajë të pastra 38 fshatra dhe si i doli në ndihmë Prishtinës me kamionë

Si po arrin Deçani t’i mbajë të pastra 38 fshatra dhe si i doli në ndihmë Prishtinës me kamionë

Si po arrin Deçani t’i mbajë të pastra 38 fshatra dhe si i doli në ndihmë Prishtinës me kamionë

Derisa Komuna e Prishtinës po vazhdon të përballet me probleme në menaxhimin e mbeturinave, ku kontejnerët në disa pjesë të kryeqytetit mbesin të stërmbushur për ditë të tëra, Telegrafi ka vizituar Komunën e Deçanit për të parë se si organizohet ky shërbim në një komunë me 38 fshatra.

Sponsor 3M Express

Me 65 punëtorë, ndërmarrja publike lokale “Higjiena” arrin të mbulojë territorin e kësaj komune dhe të përmbushë kërkesat e qytetarëve për grumbullimin dhe largimin e mbeturinave.

Për më tepër, në vitet e fundit, Komuna e Deçanit ka ndihmuar edhe Komunën e Prishtinës, përkatësisht kompaninë rajonale të mbeturinave “Pastrimi”, duke i vënë në dispozicion kamionë për grumbullimin e mbeturinave, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur në Kosovë rritet numri i banorëve për shkak të ardhjes së diasporës.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë për Telegrafin se angazhimi për një qytet të pastër ka qenë ndër arsyet kryesore që e kanë shtyrë komunën të investojë në krijimin dhe pajisjen e ndërmarrjes me mjete të nevojshme për punë.

“Besoj që përkushtimi dhe dashnia për me e pas një qytet ekologjik, një qytet të pasur, na ka shty që me hy në këtë rrjedhë prej ndërtimit të kompanisë, pastaj edhe të pajisjes me mjete, një kohë me punë vullnetare të shumë djemve edhe vajza këtij qyteti që me lidh edhe kontrata edhe me shpjegu idenë pse nuk duhet me pasë mbeturina në vendbanimet tona dhe pse brenda një komune duhet me qenë territori i pastër”, tha Ramosaj.

Ai ka theksuar se investimet në pajisje janë bërë pas një analize të nevojave, duke përfshirë numrin e punëtorëve, kapacitetet e kamionëve dhe mjetet e nevojshme për funksionimin e ndërmarrjes.

“Masi që kemi bo ne një analizë tepër të saktë, sa punëtorë na duhen, cilat janë mjetet themelore që na vyen, sa kamionë na vyen për me pasë, cili është kapaciteti i këtyre kamionëve edhe nuk kemi kursy, domethanë për aq sa ka qenë e nevojshme, si pas kësaj analize ne kemi dhënë paret si komunë, kemi dhënë buxhetin e caktum për me i ble këta kamionë. Jam shumë i lumtur që edhe këtë vit ne kemi nda një buxhet të konsiderueshëm që me pasë pajisje të reja, për shkak se janë amortizu këta kamionë dhe po hasen vështirësi gjatë operimit me ta, në rast se ne dojmë me pasë një Kosovë pa mbeturina, nëse ne dojmë me pas një qytet, një lagje, një vendbanim tonin pa mbeturina, atëherë duhet me nda buxhet për këtë pjesë, sepse nuk funksionon ndryshe”, potencoi ai.

I pyetur për bashkëpunimin me Komunën e Prishtinës dhe ndihmën që Deçani i ka ofruar kompanisë “Pastrimi” gjatë viteve të fundit, Ramosaj ka thënë se kërkesat për huazimin e kamionëve janë bërë kryesisht gjatë sezonit të verës, kur rritet ndjeshëm sasia e mbeturinave.

“Kemi pasur një kërkesë prej komunës së Prishtinës më shumë se katër-pesë vite, ku në pikë sezonin e mbeturinave kur Kosova mbi popullohet për shkak se koncentrimi ndoshta i krejt aktiviteteve është në muajin korrik edhe gusht kur na vijnë vëllezërit dhe motrat nga jashtë, kur krijohen ato dasmat, ato që janë tradicionale te ne edhe ka sasi dhe volum më të madh të mbeturinave edhe sa herë që kanë ardhë me i kërku dy kamionë, tre kamionë, ne e kemi pasë gatishmërinë që me ja jep në shfrytëzim edhe me na i kthy masi të kalon kjo sezon, ku volumi i mbeturinave është më i madh dhe këso bashkëpunimesh duhet të ketë akoma kur një kompani qëndron pak më mirë me automjete ose me staf, mundet me e suportu ose me mbështet një kompani tjetër, nuk ka asgjë të keqe”, bëri të ditur kryetari i Deçanit.

Sipas tij, bashkëpunimi ndërmjet ndërmarrjeve publike është i rëndësishëm edhe për shkëmbimin e përvojave.

“Është shumë pozitive kjo pjesë, për shkak se edhe shkëmbejmë përvojat edhe është temë e bashkëpunimit që duhet me ndodhë”, shtoi më tej Ramosaj.

Higjiena: Mbulohen të gjitha 38 fshatrat e Deçanit

Ushtruesja e detyrës së kryeshefes ekzekutive të ndërmarrjes publike lokale “Higjiena”, Albanë Lokaj Avdiu, ka thënë se gjendja me mbeturinat në Komunën e Deçanit është e mirë dhe se ndërmarrja arrin t’i përmbushë planet operative.

“Për momentin gjendja në Komunën e Deçanit me mbeturina është relativisht shumë e mirë”, tha ajo.

Ajo ka pranuar se ndërmarrja përballet me sfida të përditshme gjatë grumbullimit të mbeturinave, por ka theksuar se shërbimet kryhen sipas planeve të parapara.

“I kemi sfidat tona të përditshme gjatë grumbullimit të mbeturinave, mirëpo po arrijmë që brenda dite të kryhet plani operativ, sipas planeve mujore dhe vjetore të planifikuara më herët”, deklaroi Lokaj Avdiu.

Lokaj Avdiu ka sqaruar se shërbimi kryesor i ndërmarrjes është grumbullimi dhe bartja e mbeturinave në të gjithë territorin e komunës.

“Ndërmarrja ‘Higjiena’, shërbim primar e ka grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave brenda territorit të komunës. Funksionojmë në 100 për qind në territorin e komunës në 38 fshatra”, zbuloi ajo.

Një prej faktorëve që ndihmon funksionimin e ndërmarrjes, sipas saj, është edhe niveli i inkasimit të pagesave nga qytetarët.

“Ne qëndrojmë mirë me inkasim, pasi janë afër 87 për qind e qytetarëve që paguajnë në kohë, edhe të cilët i falënderojmë për kontributin që kemi, që Deçani ka një ambient jashtëzakonisht të pastër”, tha drejtuesja e NPL ‘Higjiena’.

Ajo ka bërë të ditur se grumbullimi i mbeturinave organizohet gjatë të shtatë ditëve të javës, sipas planit operativ.

“Ne operojmë në 7 ditë të javës sipas planit operativ derë më derë për mbledhjen dhe grumbullimin e mbeturinave”, shtoi mes tjerash ajo.

Qytetarët vlerësojnë shërbimin e ndërmarrjes

Edhe qytetarët e Deçanit shprehen të kënaqur me shërbimet e ndërmarrjes “Higjiena”, duke veçuar pastrimin e hapësirave publike dhe mirëmbajtjen e qytetit.

Qytetari Mon Selmonaj ka thënë se punëtorët e ndërmarrjes janë të angazhuar edhe në pastrimin e sheshit dhe hapësirave të tjera publike.

“Me ardhë në mesditë këtu i sheh edhe punëtorët e ‘Higjienës’, duke pastru sheshin e duke pastru këto lapidaret, përmendoret e të gjitha këto. Përgjithësi qytetarët e Deçanit janë shumë të kënaqur me mbledhjen e mbeturinave dhe pastrimin e fshatrave dhe të qytetit”, tha ai.

Selmonaj ka vlerësuar edhe mënyrën se si ndërmarrja i ka organizuar marrëdhëniet me qytetarët, duke thënë se kjo ka ndikuar në rritjen e përgjegjësisë së tyre për pagesën e shërbimeve.

“Politikat që i udhëheq kompania ndaj qytetarëve, domethënë e kanë obligu e ka, qytetarët e ndijnë një obligim ndaj kompanisë për përmbushjen e obligimeve të tyre si qytetarë sepse kur vjen me rregull dhe i kryejnë ato edhe qytetarët, ndonëse janë vetëdijesu, janë ndërgjegjësu edhe i kryejnë obligimet e tyre që kanë ndaj kompanisë”, deklaroi qytetari.

Ndryshe nga situata e përshkruar në Deçan, kryeqyteti aktualisht po përballet me probleme në menaxhimin e mbeturinave. Qytetarët kanë raportuar se ato nuk janë grumbulluar për javë të tëra në disa zona, ndërsa Komuna e Prishtinës ka fajësuar Ministrinë e Financave, përkatësisht ministrin Hekuran Murati, për mosnënshkrimin e marrëveshjes me bankën gjermane KfW.

Në anën tjetër, Murati ka deklaruar se KfW-ja ka kërkuar stabilitet në kompaninë rajonale të mbeturinave “Pastrimi”, si kusht për nënshkrimin e marrëveshjes, e cila do të mundësonte bartjen e 24 milionë eurove në llogari të kompanisë.

Sipas KfW-së, në fazën e dytë do të shtoheshin edhe 50 milionë euro të tjera në formë granti nga Bashkimi Evropian. /Telegrafi/

Lexo edhe

Pas vendimit të Apelit, familja e Liridona Ademajt kërkon kujdestarinë e fëmijëve të saj

Pas vendimit të Apelit, familja e Liridona Ademajt kërkon kujdestarinë e fëmijëve të saj

CAS-i përmbys gjithçka, Senegali rikthehet në fronin e futbollit afrikan

CAS-i përmbys gjithçka, Senegali rikthehet në fronin e futbollit afrikan

Publikohet ditari i Papa Françeskut/ Zbulohen përjetimet e Bergolio: Kam parë djaj dhe portën e ferri

Publikohet ditari i Papa Françeskut/ Zbulohen përjetimet e Bergolio: Kam parë djaj dhe portën e ferri

Si po arrin Deçani t’i mbajë të pastra 38 fshatra dhe si i doli në ndihmë Prishtinës me kamionë | Momenti