Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet B.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.

Sipas njoftimit të kësaj prokurorie, ndalimi është bërë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, në kuadër të një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
I dyshuari dyshohet se gjatë vitit 2026, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, ka vënë në lajthitje disa shtetas të Norvegjisë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
Sipas hetimeve, pasi dyshohet se ka siguruar të dhënat bankare të personave të dëmtuar, ai i ka përdorur ato për të realizuar porosi online në dyqane të ndryshme, kryesisht në ato që shesin pajisje elektronike.
Si pasojë e këtyre veprimeve, të dëmtuarve u është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material.
Gjatë kontrollit, autoritetet kanë sekuestruar shtatë telefona celularë, dy kompjuterë, dy USB, një veturë dhe dokumente të ndryshme, të cilat do të shërbejnë si prova në procedurën penale.




