Një person është ndaluar për 48 orë në Prishtinë, nën dyshimin për mashtrim ndaj disa shtetasve të Norvegjisë, duke ua siguruar të dhënat bankare dhe duke i përdorur ato për blerje online të pajisjeve elektronike.

Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila njoftoi se ndalimi është bërë në kuadër të një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari me inicialet B.M. dyshohet se gjatë vitit 2026, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, ka vënë në lajthitje personat e dëmtuar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
Dyshohet se pasi ka siguruar të dhënat e tyre bankare, i ka përdorur ato për të realizuar porosi online në dyqane të ndryshme, kryesisht në ato që shesin pajisje elektronike, duke u shkaktuar viktimave dëm të konsiderueshëm material.
Gjatë kontrollit të urdhëruar nga Prokurori i Shtetit, janë sekuestruar shtatë telefona celularë, dy kompjuterë, dy USB, një veturë dhe dokumente të ndryshme, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në procedurën penale.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




