Dy persona të mitur janë arrestuar në lidhje me aksidentin që ndodhi më 24 tetor në Skenderaj, kur një veturë që po tentonte t’i shmangej Policisë goditi automjetin zyrtar, duke e nxjerrë nga rruga dhe duke e përplasur në një shtyllë elektrike. Si pasojë, dy zyrtarë policorë pësuan lëndime trupore, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi i dy të dyshuarve është bërë të hënën, më 26 tetor, pas hetimeve intensive dhe provave të siguruara nga hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Mitrovicën e Jugut.
Të dy të miturit dyshohet se më 24 tetor, në Skenderaj, kishin marrë një veturë në mënyrë të kundërligjshme, me njërin prej tyre në cilësinë e shoferit dhe tjetrin si pasagjer.
Rasti nisi kur njësitet policore vunë re automjetin me targa vendore duke bërë vozitje të rrezikshme. Pasi zyrtarët policorë i dhanë sinjal shoferit që të ndalej, ai nuk iu bind urdhrit dhe u largua, duke bërë që patrulla të vihej në ndjekje të tij.
Gjatë ndjekjes, vetura e dyshuar goditi automjetin zyrtar të Policisë, duke e nxjerrë nga rruga dhe duke shkaktuar përplasjen e tij me një shtyllë elektrike.
Dy zyrtarët policorë që ndodheshin brenda veturës zyrtare pësuan lëndime dhe morën trajtim mjekësor. Pas trajtimit, të dy u liruan.
Pas aksidentit, vetura e dyshuar u gjet e braktisur në një fshat të Skenderajt.
Policia ka bërë të ditur se dy të miturit janë intervistuar në përputhje me procedurat ligjore dhe, me vendim të prokurorit kompetent, janë liruar për t’u proceduar në procedurë të rregullt.
Ndaj të dyshuarit që ishte në drejtimin e automjetit janë iniciuar rastet për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Marrje në posedim të pasurisë së luajtshme”.
Hetimet për rastin janë zhvilluar nga njësitet përkatëse policore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




