Një shpërthim i fuqishëm në një veturë në Moskë ka plagosur Sergei Zavorotny, ish-këshilltarin e ish-kryeministrit ukrainas Mykola Azarov, i njohur për qëndrimet e tij pro-ruse.

Lajmi është konfirmuar nga Komiteti Hetimor i Rusisë, i cili ka bërë të ditur se Zavorotny ndodhej në timonin e veturës kur bomba shpërtheu të premten në mëngjes. Ai është dërguar në spital, ku po merr trajtim mjekësor.
Sipas raportimeve të pakonfirmuara në mediat ruse, Zavorotny ka humbur krahun e majtë, ndërsa ka pësuar edhe lëndime në tru, thyerje të brinjëve dhe të këmbës së djathtë.
Zavorotny kishte shërbyer si këshilltar i Azarovit deri në vitin 2014, kur ky i fundit dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Ukrainës dhe u largua drejt Rusisë.
Shpërthimi në Moskë ndodhi vetëm një ditë pas një incidenti të ngjashëm në Shën Petersburg, ku një bombë e vendosur në një veturë vrau një kolonel të ushtrisë ruse.
Ndërkohë, autoritetet ruse kanë nisur hetimet për shpërthimin në Moskë. Komiteti Hetimor ka bërë të ditur se do të kryhen disa ekspertiza, përfshirë ekzaminime mjekësore dhe analiza për të përcaktuar praninë e lëndëve shpërthyese.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





