Drejtori i Arsimit në Deçan flet për gjendjen në dy shkolla pas akuzave të asamblistit të LDK-së

Drejtori i Arsimit në Deçan flet për gjendjen në dy shkolla pas akuzave të asamblistit të LDK-së

Drejtori i Arsimit në Deçan flet për gjendjen në dy shkolla pas akuzave të asamblistit të LDK-së

Gjendja e infrastrukturës në dy shkolla të Deçanit është bërë temë diskutimi pas publikimit të disa fotografive nga asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ardian Binakaj, i cili ka ngritur shqetësime për kushtet në të cilat zhvillohet mësimi në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët (SHFMU) “Bajram Curri” në Strellc të Epërm dhe në SHFMU “Sylë Alaj” në Drenoc.

Sponsor 3M Express

Në dy postime të ndara në Facebook, Binakaj ka publikuar fotografi nga këto institucione arsimore, duke shkruar se ato përballen me probleme të theksuara në mirëmbajtje, dëmtime të inventarit shkollor dhe kushte të papërshtatshme sanitare.

Për gjendjen në këto shkolla, ai ka drejtuar kritika ndaj qeverisjes komunale, duke ia atribuuar përgjegjësinë kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, dhe Aleancës.

“Bankat të thyera e të dëmtuara, banjot në gjendje të mjerueshme, muret dhe dyshemetë të lëna pas dore, papastërti gjithandej”, ka shkruar Binakaj në postimin për shkollën “Bajram Curri”.

Ai ka thënë se kushtet në këtë institucion rrezikojnë edhe shëndetin e nxënësve, ndërsa ka kritikuar pushtetin komunal për, siç ka thënë, neglizhencë ndaj infrastrukturës shkollore.

Në postimin tjetër, lidhur me shkollën “Sylë Alaj” në Dranoc, Binakaj ka ngritur gjithashtu shqetësime për gjendjen e ambienteve shkollore.

“Bashkim Ramosaj dhe Aleanca e kanë lënë edhe Shkollën ‘Sylë Alaj’ në Dranoc në këtë gjendje të tmerrshme. Si mund të lihen nxënësit që të mësojnë në këto ambiente?”, ka shkruar ai.

Drejtori i Arsimit: Jemi të informuar për gjendjen, në të dyja shkollat ka pasur investime

Pas këtyre akuzave, Telegrafi ka kontaktuar drejtorin e Arsimit në Komunën e Deçanit, Besnik Hulaj, i cili ka thënë se Drejtoria e Arsimit është vazhdimisht në terren dhe është e informuar për gjendjen në të dyja shkollat.

Duke folur për shkollën “Sylë Alaj” në Dranoc, Hulaj ka treguar se gjatë vitit të kaluar objekti kishte pësuar dëmtime si pasojë e erërave të forta dhe reshjeve të mëdha të shiut.

Sipas tij, nga këto kushte atmosferike ishte dëmtuar fasada në njërën anë të objektit, ndërsa ishte dëmtuar edhe kulmi i shkollës.

“Në SHFMU ‘Sylë Alaj’ në Dranoc, vitin e kaluar kemi pasur probleme për shkak të erërave të forta dhe shirave të mëdha. Njëra anë e murit është hequr komplet shtresa e fasadës, bashkë me materialin përcjellës të izolimit, dhe një kulm është dëmtuar pas rënies mbi të të këtij materiali. Pas një muaji është rinovuar komplet dëmi i jashtëm dhe kanë mbetur edhe disa probleme të brendshme si pasojë e lagështisë”, ka deklaruar Hulaj për Telegrafin.

Ai ka thënë se në këtë shkollë janë realizuar investime dhe furnizime të vazhdueshme me materiale sanitare e higjienike, ndërsa ka bërë të ditur se para një muaji është investuar edhe në ndërtimin e një këndi të lojërave.

Sa i përket sallës së sportit, drejtori i Arsimit ka thënë se kulmi i saj është rinovuar dy herë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), por sipas tij, ndërhyrjet nuk e kanë zgjidhur problemin e depërtimit të ujit.

Ndërkaq, për shkollën “Bajram Curri” në Strellc të Epërm, Hulaj ka pranuar se ekzistojnë vështirësi në rehabilitimin e nyjave sanitare, duke përmendur dëmtimet e tyre dhe vjetërsinë e objektit.

“Sa i përket SHFMU ‘Bajram Curri’ në Strellc të Epërm, kemi vështirësi për rehabilitimin e nyjave sanitare. Sipas informatave që kam marrë nga drejtori i pensionuar, pas renovimit të shkollës, shumica e nyjave sanitare janë dëmtuar edhe për shkak të vjetërsisë së ndërtimit të shkollës. Tani kanë filluar edhe të lagen muret dhe të dëmtohet fasada apo muret”, ka thënë ai.

Hulaj përmend bllokimin e investimeve dhe mungesën e mbi një milion eurove

Duke folur për masat dhe investimet e planifikuara, drejtori i Arsimit ka thënë se Drejtoria e Arsimit dhe Komuna janë të përkushtuara për mirëmbajtjen e objekteve shkollore, por ka shtuar se realizimi i investimeve është penguar nga obligimet financiare që lidhen me kontratën kolektive të arsimit.

Sipas tij, planifikimet për investime dhe renovime të shkollave janë bllokuar dhe mjetet janë tërhequr nga përmbaruesit, për shkak të obligimeve që, siç ka thënë, u janë bartur komunave pas ndërprerjes së kontratës kolektive nga Ministria e Arsimit.

“Viteve të fundit, përpos përkrahjes së Ministres së Arsimit, të cilat kanë qenë kryesisht në shkolla të reja dhe çerdhe si projekte në vazhdim, si dhe donatorëve, të gjitha planifikimet për investime apo rinovime të shkollave na janë bllokuar dhe tërhequr nga përmbaruesit për shkak të kontratës kolektive, e cila është ndërprerë njëanshëm nga Ministria e Arsimit. Komunat janë obliguar që të paguajnë të gjitha obligimet nga kjo kontratë, ku ne jemi sanksionuar dhe bllokuar në planifikimet tona”, ka potencuar Hulaj.

Ai ka përmendur edhe buxhetin e Drejtorisë së Arsimit, duke thënë se këtë vit është zvogëluar për më shumë se një milion euro.

“Ndoshta e dini që Drejtoria e Arsimit varet nga granti specifik, ku këtë vit jemi dëmtuar me mbi një milion euro më pak për shkak të rënies së numrit të nxënësve dhe tani numrit të tepërt të mësimdhënësve”, ka thënë Hulaj.

Në fund, drejtori i Arsimit ka shprehur pritjen që problemet e mbetura në të dyja shkollat të adresohen gjatë vitit shkollor 2026/2027, varësisht nga ndarjet buxhetore të Komunës dhe nivelit qendror.

“Shpresojmë që me ndarjet buxhetore, qoftë nga Komuna, qoftë nga niveli qendror, vitin shkollor 2026/2027 të përfundojnë edhe pak këto defekte të vogla që i kemi në këto shkolla”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, nga përgjigjet e drejtorit të Arsimit nuk jepet një afat konkret për fillimin e rehabilitimit të nyjave sanitare në shkollën “Bajram Curri”, ndërsa për problemet e brendshme në shkollën “Sylë Alaj” përmendet vetëm pritja për sigurimin e mjeteve buxhetore. /Telegrafi/

Lexo edhe

Bluetooth do të jetë dukshëm më i shpejtë, miratohet standardi i ri

Bluetooth do të jetë dukshëm më i shpejtë, miratohet standardi i ri

Bagazhi i pazakontë i tradhtoi – tentuan të kontrabandonin mbi 3 mijë merimanga

Bagazhi i pazakontë i tradhtoi – tentuan të kontrabandonin mbi 3 mijë merimanga

Konfiskim i pasurive në Kosovë, rasti ka të bëjë me trafikimin e narkotikëve në Suedi

Konfiskim i pasurive në Kosovë, rasti ka të bëjë me trafikimin e narkotikëve në Suedi