Sigal Prishtina ka triumfuar në derbin e madh ndaj Pejës, duke fituar me rezultat 79-80 në një ndeshje dramatike që u vendos në sekondat e fundit, falë një tresheje vendimtare të Arbër Sinanit.

Përballja në palestrën “Karagaçi” ishte e mbushur me emocione dhe rivalitet, ndërsa në çerekun e katërt ndeshja u ndërpre për disa minuta pas hedhjes së një mjeti plasës në afërsi të bankës së Sigal Prishtinës.
Gjatë incidentit pati edhe tensione mes shikuesve pejanë dhe basketbollistit Malcolm Armstead.
Pas ndërprerjes, ndeshja rifilloi dhe skuadrat vazhduan luftën për fitore, me Prishtinën që në fund arriti të triumfojë me vetëm një pikë diferencë.
Te Peja, lojtari më i dalluar ishte Xavier Johnson, i cili regjistroi 18 pikë dhe 11 kërcime. Në debutimin e tij, Dominic Artis pati një paraqitje solide me 16 pikë dhe gjashtë kërcime.
Me pikë dyshifrore te skuadra pejanë kontribuuan edhe Gary Ricks me 14 pikë dhe Daquan Bracey me 11.
Në anën tjetër, Bryson Dawkins ishte më efikasi te Sigal Prishtina me 21 pikë dhe 11 kërcime.
Paraqitje të mira patën edhe Malcolm Armstead me 15 pikë e pesë kërcime, Vincent Golson me 14 pikë, si dhe Arbër Sinani me 11 pikë, përfshirë treshen vendimtare që i siguroi fitoren skuadrës kryeqytetase.
Me këtë triumf, Sigal Prishtina e mban pozitën e pestë në tabelë me tri fitore dhe katër humbje, ndërsa Peja mbetet në fund të renditjes, duke regjistruar humbjen e pestë deri më tani./Telegrafi/




